Policia e Elbasanit në një reagim zyrtar ka sqaruar akuzat që rëndojnë ndaj dy shtetasve rusë dhe një ukrainas, pasi sulmuan rojet e uzinës së armëve në Gramsh dhe tentuan të hyjnë brenda perimetrit të ndaluar.

Sipas policisë Mikhail Zorin, 24-vjeç,  bashkë me 33-vjeçaren Svetlana Timofeeva dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç  akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ju bëjmë me dije se:

Nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-M. Z., 24 vjeç, S. T., 33 vjeçe, të dy shtetas rus dhe F. A., 25 vjeç, shtetas ukrainas, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, pajisje kompjuterike laptop, dronë, aparate celulare dhe sende të tjera të cilat do të ekzaminohen, rezultatet e të cilave do të jenë pjesë e hetimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb