Ish-ministri i Arsimit Genc Pollo me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se sulmi ndaj makinës së Fatos Lubonjës tregon se në vend vazhdon që të cenohet fjala e lirë.

Sipas Pollos, agresioni verbal i qeverisë Rama kundër çdo kritiku dhe ligjet anti fjalë kanë krijuar rrethanat inkurajuese për këto agresione. Ai shton se Prokuroria duhet të hetojë seriozisht e të nxjerrë para drejtësisë edhe dorësin edhe mandantin.

Postimi i Genc Pollos:

Fatos Lubonja me jetën e tij të vështirë është simbol për shumëçka. Por vitet e fundit ai është ndër pak kryezërat jopartiakë e të besueshëm që denoncojnë parreshtur kapjen e shtetit dhe ofiqarët banditë.

Prandaj sulmi i përsëritur kundër tij, duke i shkatërruar sërish veturën, është vetëm një sinjal i përsëritur për t’i mbyllur gojën. Agresioni verbal i qeverisë Rama kundër çdo kritiku dhe ligjet anti fjalë kanë krijuar rrethanat inkurajuese për keto agresione.

Prokuroria duhet të hetojë seriozisht e të nxjerrë para drejtësisë edhe dorësin edhe mandantin. Por gjithkush mund të mbrojë Fatos Lubonjën duke thënë zëlartë si ai të vërtetat e kohës.

(d.xh/ Balkanweb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb