Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj policisë së Kosovës në veri. Përmes një reagimi, BE ka dënuar ashpër ngjarjen e ndodhur në Komunën e Zubin Potokut mëngjesin e sotëm.

“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm”. Zyra e BE në Prishtinë iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet. Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”. Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale. Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb