SHBA – Presidenti Barack Obama njoftoi të premten sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, në vazhdën e sulmit kibernetik kundër kompanisë Sony Pictures Entertainment në muajin dhjetor.

Sanksionet e reja kanë në shënjestër 3 entitete të Koresë së Veriut, duke përfshirë agjencinë e saj kryesore të zbulimit si dhe 10 individë.

Departamenti amerikan i Thesarit bëri të ditur se bwhet fjalë për agjenci ose individë të qeverisë koreanoveriore.

“Ne e kemi marrë seriozisht sulmin e Koresë së Veriut që synonte të krijonte efekte shkatërruese financiare në një kompani amerikane si dhe të kërcënonte artistë e individë të tjerë me qëllim kufizimin e së drejtës së tyre për lirinë e shprehjes,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë. “Veprimet e sotme janë aspekti i parë i kundërpërgjigjes sonë,” thuhet në deklaratë.

Në urdhrin ekzekutiv të Presidentit thuhet se sanksionet ndërmerren “në përgjigje të veprimeve dhe politikave provokuese, destabilizuese dhe represive që po ndërmerr qeveria e Koresë së Veriut, sidomos ndaj veprimeve të saj destruktive që lidhen me kibernetikën.”

Në muajin dhjetor, Presidenti Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të “kundërpërgjigjeshin në mënyrë proporcionale” ndaj sulmeve kundër sistemeve kompjuterike të firmës Sony që lidheshin me nxjerrjen në qarkullim të një filmi satirik, ku përshkruhet një përpjekje për të vrarë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Sekretari i Thesarit Jacob Lew, tha në një deklaratë të premten: “Ndërkohë që FBI vazhdon hetimet rreth sulmit kibernetik ndaj firmës Sony Pictures Entertainment, këto hapa theksojnë se ne do të përdorim një gamë të gjerë mjetesh për të mbrojtur bizneset dhe shtetasit amerikanë dhe për t’iu përgjigjur përpjekjeve që synojnë të shkatërrojnë vlerat tona ose që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA.”
(er.nu/voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: