Analisti Armand Shkullaku e ka cilësuar një sulm terrorist agresionin ndaj televizionit Top Channel, i cili u bë shënjestër e një atentati me armë. Për pasojë i vrarë mbeti roja i sigurisë së kësaj godine.

Duke folur në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Shkullaku u shpreh se, kjo ngjarje erdhi pas sulmit me tritol të shtetit, ndaj një mediaje tjetër, që në këtë rast është News24.

“Është një akt i rëndë që na prek të gjithëve, por ketë e shikoj në një kontekst të lirisë së shtypit në Shqipëri. Nuk është rastësi që Shqipëria është e fundit në Europë porsa i përket lirisë së medias. Nuk është rastësi që në çdo raport, si ai i fundit i Departamentit të Shtetit, apo qoftë ato raport progresi i BE, problemi kryesor mbetet liria e shtypit.

Nuk është rastësi që edhe kryeministri në ato vizitat që bën, nga Londra në Berlin, një nga pyetjet kryesore është liria e shtypit. Kjo nuk bëhet sa për të kaluar radhën, por ka pasur sinjale të forta që kjo liri nuk ka qenë në Shqipëri.

Përsa i përket sulmit ndaj TCH, për mua është një akt terrorist, që këtë radhë e kanë kryer disa banditë me kallashnikov. Është një akt terrorist që pason një tjetër akt terrorist, shtetëror. Pra nëse botuesit të një mediaje, qeveria i vendos tritol në një ditë pushimi, pa pyetur, ligjin, gjykata, pa pritur një vendim që të sqarojë ligjshmërinë e veprimit të saj, qeveria të vendos tritol. Pra kur një media qenka kaq e cenueshme kaq kollaj, atëherë pse jo edhe banditët mund të veprojnë njëlloj. Unë e kam thënë edhe këtu, që vendosja e tritolit ka qenë një akt terrorist, me prapavijë të qartë politike, se kush guxon të dalë nga rreshti e pret ky fakt.Unë e shikoj të ngjashme me situatën në Siçili, në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, ku e vetmja gjë që rregullonte marrëdhëniet mes biznesit, politikës, medias dhe mafias, ka qenë gjuha e dhunës, nuk ka qenë ligji. Edhe këtu ndodh e njëjta gjë. Mediat dhe gazetarët sulmohen në një vend ku ligjin e bën mafia”, tha Shkullaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb