SERBI- Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, një ditë pas sulmit në Bosnjë dhe Hercegovinë ndaj kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se sulmi ndaj kryeministrit serb është tendencë për linçim, si dhe reflekton marrëdhëniet e brishta mes strukturave serbe dhe boshnjake në Bosnjë, raporton “Tanjug”.

Për më tepër, Nikoliç tha se Vuçiç është sulmuar pasi ai ka përfaqësuar Serbinë, i cili, sipas tij, shkoi atje me dorën e shtrirë për pajtim.

Nikoliç po ashtu ka thënë se qëndrimi i Serbisë kundrejt shteteve të tjera nuk do të ndryshojë, dhe se do të provojnë që të çojnë përpara misionin për marrëdhënie të mira me fqinjët.

Ndërkohë anëtari boshnjak i presidencës së Bosnjë Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, e ka dënuar sulmin e djeshëm kundër kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Potoçari, dhe ka theksuar se është i sigurt se Vuçiç kishte ardhur me qëllime të mira në shënimin e 20 vjetorit të masakrës në Srebrenicë.
Dje rreth orës 12:50 në Potocari kur po mbahej 20 vjetori i masakrës së Srebrenicës, është sulmuar kryeministri serb Aleksandër Vuçic. Kryeministri serb ishte duke vendosur lule në një pllakë përkujtimore kur u sulmua me gurë nga turma e njerëzve që ishte prezente.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb