Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me masakrën që ndodhi në një lokal në zonën e Don Boskos ditën e djeshme.

Beçi deklaroi se në këtë rast autorët e të shtënave kanë tentuar të krijojnë terror duke qëlluar mbi disa njerëz të pafajshëm në ambientet e lokalit.

Sipas tij autorët nuk kanë pasur një qëllim të qartë, por thjesht kanë kërkuar të krijojnë dëme në ambientet e lokalit.

Ai shtoi se kjo ngjarje tregon se grupet kriminale kanë marrë guxim për kryerjen e veprave të tilla me arsyetimin se “nuk u hyn gjemb në këmbë”.

“Ndodhemi para një vepre ku personat kanë tentuar të vrasin shumë të pafajshëm. Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një subjekt të qartë nga autorë. Mënyra e qitjes tregon se nuk kemi të bëjmë as me amatorë as me profesionistë. Ata kanë dashur të krijojnë terror për shkak të situatës që kanë pasur me njëri-tjetrin. Ata nuk kanë patur një objekt të përcaktuar, kanë dashur të krijojnë terror.

Kemi të bëjmë me persona që kanë dashur të krijojnë dëm ndaj armiqve të tyre kriminalë. Ekziston një mungesë e sigurisë publike në Tiranë. Krijimi i terrorit pa marrë parasysh njerëzit e tjerë, kjo tregon se grupet kriminale kanë marrë guxim dhe arsyetimin se nuk u hyn gjëmb në këmbë dhe prandaj kryejnë vepra të tilla kriminale në mes të Tiranës. Nëse nuk funksionojnë të gjitha organet do kemi shumë ngjarje që do ndodhin në këtë formë”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb