Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin ndaj Kapitolit ka kërkuar dëshmi dhe dokumente nga udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi Kevin McCarthy, të mërkurën, duke e zhvendosur hetimin e tyre tek një nga aleatët kryesor të ish-presidentit Donald Trump në Kongres. Kryetari i Komisionit, demokrati Bennie Thompson, kërkoi që ligjvënësi McCarthy t’i jepte informacion panelit prej nëntë anëtarësh në lidhje me dhunën që ndodhi janarin e kaluar dhe komunikimet e tij me ish-shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows në ditët para sulmit.

“Ne gjithashtu duhet të mësojmë se si planet e Presidentit (Trump) për 6 janarin u krijuan dhe të gjitha mënyrat e tjera që ai u përpoq të përdorte për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve”, tha ligjvënësi Thompson në letër. “Për shembull, para datës 6 janar, ju thuhet se i keni shpjeguar zotit Mark Meadows dhe ish-Presidentit se përpjekjet për të kundërshtuar çertifikimin e votave elektorale të 6 janarit “do të dështonin”.

Komisioni i 6 janarit kërkon informacion në lidhje me bisedat e ligjvënësit McCarthy me zotin Trump “para, gjatë dhe pas” trazirave, me ligjvënësit që përpiqeshin të mësonin se çfarë kishte në mendje zoti Trump nga një aleat që ka pranuar se ka patur komunikime të përsëritura me presidentin e atëhershëm. Komisioni gjithashtu dëshiron të marrë në pyetje zotin McCarthy në lidhje me komunikimet me zotin Trump dhe personelin e Shtëpisë së Bardhë në javën pas dhunës në Kapitol, duke përfshirë një bisedë me zotin Trump që thuhet se ishte shoqëruar me tensione.

Komisioni e pranoi natyrën e ndjeshme dhe të pazakontë të kërkesës së tij ndërsa propozoi një takim me zotin McCarthy më 3 ose 4 shkurt. “Komisioni ka respekt të jashtëzakonshëm për rregullat e Kongresit dhe privatësinë e anëtarëve të tij. Në të njëjtën kohë, ne kemi një përgjegjësi solemne për të hetuar plotësisht faktet dhe rrethanat e këtyre ngjarjeve”, thuhet në letrën e ligjvënësit Thompson.

Zyra e zotit McCarthy nuk ofroi përgjigje të menjëhershme ndaj një kërkese për koment lidhur me këtë zhvillim.

McCarthy është anëtari i tretë i Kongresit, të cilit Komisioni i 6 janarit i ka kërkuar të japë dëshmi dhe informacione lidhur me sulmin në Kapitol.Në javët e fundit, ligjvënësit republikanë Jim Jordan dhe Scott Perry u kontaktuan gjithashtu nga Komisioni, por nuk pranuan të japin dëshmi ose të ofrojnë dokumente lidhur me ngjarjet e 6 janarit.
Ish-zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany bisedoi të mërkurën me Komisionin e 6 janarit virtualisht, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press një person që kishte njohuri për këtë intervistë, i cili foli me kusht që të mos i zbulohej identiteti. Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton ngjarjet e 6 janarit, i dërgoi kërkesën për dëshmi zonjës McEnany në nëntor të vitit të kaluar.

Paneli, i përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë, ka intervistuar tashmë më shumë se 300 persona dhe ka lëshuar fletëthirrje për më shumë se 40 të tjerë, ndërsa kërkon të krijojë një listë të dhënash gjithëpërfshirëse në lidhje me sulmin e 6 janarit të vitit 2020 dhe ngjarjet që çuan në fillimin e tij./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb