Ndërkohë që Donald Trump synon të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale e të bëhet edhe një herë shefi i Shtëpisë së Bardhë, Mike Pence ka deklaruar se ish- presidenti do të mbahet përgjegjës për sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Pence, në atë kohë nënkryetar, ishte në Kapitol kur mijëra mbështetës të Trump depërtuan në ndërtesë në një përpjekje për të ndaluar Kongresin të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat Trump i humbi në përballjen me Joe Biden.

Duke qenë se zëvendëspresidenti ka rolin kushtetues të presidentit të Senatit, Pence kryesonte atë që kishte qenë gjithmonë detyra ceremoniale e miratimit të votave të kolegjit zgjedhor.

Gjatë gjithë rrethimit, Trump publikoi disa postime në Twitter, një duke u bërë thirrje republikanëve të “luftojnë” duke bërë pretendime të rreme për mashtrim të votuesve.

Ai gjithashtu kritikoi Pence për vërtetimin e rezultateve.

“Presidenti Trump e kishte gabim. Nuk kisha të drejtë të përmbysja zgjedhjet dhe fjalët e tij të pamatura rrezikuan familjen time dhe të gjithë në Kapitol atë ditë, dhe e di që historia do t’i kërkojë llogari Donald Trumpit”, tha Pence.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb