Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka folur në lidhje me aksionin e qeverisë ditën e sotme ndaj “Prestige Resort”.

Ndoka tha se ngjarja është e trishtueshme për gjithë opinionin në tërësi, ndërsa shtoi se Rama nuk po godet më vetëm pronarin e “Hysenbelliu Group”, por edhe vetë SHBA-të, sidomos pas publikimit të raportit të DASH vetëm 48 orë më parë.

Ai vijoi duke thënë se vendimi i Ramës është një aventurë e rrezikshme politike që do ketë kosto për taksapaguesit shqiptarë, teksa tha më tej me ironi se “do ishte mirë që ’i paguante disa kosto nga shitjet e pikturave të tij të famshme”.

Sipas tij Rama po shkel kushtetutën për të treguar egon e tij prej psikopati dhe se është një goditje selektive që vjen nga inati i tij pa fund.

“Ngjarja është e trishtueshme për opinionin në tërësi. Rama nuk po godet më vetëm Hysenbelliun por edhe SHBA-të. Kur rasti përmendet nga DASH si rast kërcënues për lirinë e medias, në vend që të reflektojë Rama ndërmerr këtë veprim duke nënkuptuar se nuk pyet as për SHBA-të. Ai e ndjen se litari po i shtrëngon çdo ditë e më shumë qafën e pushtetit të tij.

Ai ka një problem të hapur me drejtësinë e SHBA-vë dhe po thotë që nuk pyet më për raportet me SHBA-në. Duke e parë në këtë kontekst është një aventurë e rrezikshme politike dhe ka kosto jo vetëm për kompaninë që ka goditur, por edhe për taksapaguesit shqiptarë. Ky e ka jetën e shkurtër si kryeministër, por pasojat e tij do na ndjekin gjatë dhe do ishte mirë që t’i paguante disa kosto nga shitjet e pikturave të tij të famshme.

Ai po shkel kushtetutën për të treguar egon e tij prej psikopati. Unë për këtë shqetësohem, se është një faturë për të gjithë ne.

Unë e kam ndjekur me detaje këtë rast, është një shkelje flagrante nga qeveria. Kjo është një goditje selektive që vjen nga inati i tij që nuk ka fund. Ai është si një bandit që shkon natën dhe i vendos tritolin personit që ka inat. Rama kështu po e përdor pushtetin, bandat e bëjnë natën me maska, ndërsa ky i dërgon me urdhër ata që paguhen me taksat tona. Kjo është pjesa më e hidhur. Kjo të krijon një lloj shqetësimi kur një investim i tillë shembet për tekat e një kryeministri të çmendur”, u shpreh Ndoka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb