Njerëzit që ndonjëherë flenë shumë e herë pak, dhe ata që shkojnë në shtrat në orare shumë të ndryshme, përballen me një rrezik më të madh kardiovaskular. Sa më e parregullt kohëzgjatja e gjumit të tyre, aq më i madh është rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare për shkak të ndërprerjes së orës biologjike që ndikon në metabolizmin, presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës, sipas një studimi të ri shkencor amerikan.

Studiuesit, të udhëhequr nga profesori i epidemiologjisë së gjumit, Tianyi Huang i Shkollës Mjekësore të Harvardit dhe Spitalit Brigham & Women’s në Boston, i cili bëri publikimin përkatës në Journal of the American College of Cardiology, studiuan rreth 2000 njerëz 45-84 vjeç gjatë pesë viteve. Pjesëmarrësit nuk kishin sëmundje kardiovaskulare në fillim të studimit dhe iu kërkua të mbanin një pajisje speciale për gjurmimin e gjumit në kyçin e dorës. Gjatë studimit, 111 persona patën një atak në zemër, goditje në tru ose ngjarje të tjera kardiovaskulare.

Ai zbuloi se ata që kishin gjumë të parregullt (të paktën një diferencë prej dy orësh në kohëzgjatjen e gjumit çdo natë) kishin më shumë se dy herë më shumë gjasa të kishin një problem kardiovaskular. Ata që kishin orarin më të rregullt të gjumit (devijim deri në një orë nga nata në natë) ishin më pak të rrezikuar. I njëjti ndryshim në rrezik ekzistonte për diferencën në kohën e gjumit: Ata që ndryshonin me të paktën 90 minuta nga nata në natë ishin në rrezik më të madh se ata që ndryshonin me jo më shumë se 30 minuta.

“Zakonisht kur flasim për gjumin, ne priremi të fokusohemi në kohëzgjatjen e tij, sa orë fle një person gjatë natës dhe jo në atë se sa i parregullt është gjumi i tij, në cilat orë të çrregullta shkojnë në shtrat dhe sa e ndryshme është kohëzgjatja e gjumit nga njëra natë në tjetrën. Studimi tregon se gjumi i shëndetshëm nuk është vetëm gjumë adekuat, por edhe gjumë që nuk është i parregullt”, tha Dr Huang.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: