Sa shumë gjëra mbeten të panjohura! Sa shumë gjëra koha i varros me sukses për dekada me radhë! Sovjetikët tërheqin në qershor 1961 nëndetëset dhe anijet nga baza e Vlorës, por nuk e mbledhin dot më mendjen.

E shohin veten të humbur, ndihen të acaruar, të pavlerësuar dhe përfundimisht hedhin në letër planin e pushtimit të Shqipërisë. Një plan ushtarak pushtimi, me sulm nga deti dhe toka. Një pushtim që duhet të realizohej medoemos para datës 1 shtator 1962. Një plan që refuzohet vetëm nga Rumania, por edhe nga Josip Tito në momentet e kurorëzimit. Por për fat edhe një plan i mbetur në letër për shkak të krizës së raketave në Kubë, një impenjim që duket kishte sfumuar planin për pushtimin e shtetit të pabindur shqiptar.

Këto “xhevahire” ruhen në arkivat e ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik. Mbase krejt të panjohura nga shqiptarët, por jo nga liderët e tyre të kohës, Enver Hoxha me shokë, që shpejtuan të përqafonin kinezët duke u kërkuar, para së gjithash asistencë e ndihmë ushtarake, por edhe duke nisur të gërmonin llogoret e para e më tej edhe vendstrehimet nëntokësore. Kështu që për herë të parë mbase, paranoja e Enver Hoxhës, frika e tij se do sulmohej ushtarakisht, fillimisht nga sovjetikët, të paktën në këtë rast ka një justifikim… Materialet për këtë shkrim janë marrë nga një punim i Doktorit të Shkencave të Historisë, Aleksandër Okorokov me titull “Zig-zaget e politikës shqiptare”, publikuar më 16 shkurt 2009.

ENVER HOXHA ZGJEDH SOVJETIKËT
“…në korrik të vitit 1947, në Moskë u realizua takimi i parë i Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha me liderin sovjetik, Josif Stalin. Mysafiri habitet nga gjithçka; edhe nga thjeshtësia e kabinetit, edhe nga butësia e sjelljes së të zotit, edhe nga gjykimet e tij të prera. Me sa u duk edhe lideri shqiptar i bëri përshtypje të mirë Stalinit. Bisedat me Stalinin dhe Molotovin u materializuan në një marrëveshje për t’i dhënë ndihmë të konsiderueshme dhe kredi Shqipërisë, në pajisje industriale e trajnim të specialistëve.

Shqipërisë iu dha një kredi preferenciale, rreth 6 milionë dollarë amerikanë – një shumë të madhe për ato kohë. Gjatë këtij takimi u vendos dhe për dhënien e armatimeve, por pa pagesë. Më 11 gusht 1947, pa ndonjë lidhje të njohur me momentin, Enver Hoxha u nderua nga qeveria sovjetike me Urdhrin Suvorov të Klasit të Parë. Vizita e delegacionit qeveritar shqiptar shkakton tension në Beograd. Frika mos humbiste një pozicion ushtarak të rëndësishëm strategjik, aktivizoi jugosllavët. Nën presionin e tyre, në radhët e aparatit shtetëror dhe partiak shqiptar u bënë spastrime. Një numër politikanësh të njohur, që mbështesnin afrimin me Bashkimin Sovjetik iu nënshtruan represioneve, ndërsa një pjesë, e akuzuar për ‘veprimtari shoviniste antijugosllave’, u ekzekutuan. Në dhjetor 1947 Shqipërinë e vizitoi Shefi i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, K. Popoviç i shoqëruar edhe nga dy drejtues politikë, po të forcave të armatosura.

Qëllimi i vizitës së tij ishte përforcimi i lidhjeve në fushën ushtarake, dhe në veçanti të realizohej futja në rajonin e Korçës të një divizioni jugosllav, si plotësim i një regjimenti ajror, gjoja për mbrojtjen e përbashkët të kufijve jugorë të Shqipërisë, nga një sulm në përgatitje e sipër i monarko-fashistëve grekë dhe imperialistëve anglo-amerikanë. Këto lëvizje shkaktuan një protestë aktive të vendeve perëndimore, si dhe një reaksion negativ në Bashkimin Sovjetik. Dhe nëse të parët i frikësoheshin zgjerimit të sferës socialiste të influencës, pakënaqësia e udhëheqësit sovjetik në një shkallë jo të vogël ishte shkaktuar nga rrethana se Beogradi e kishte marrë këtë vendim pa një marrëveshje paraprake me Moskën. Në mesin e prillit 1948 në Shqipëri u dërgua një kopje e letrës së Komitetit Qendror të Partisë Komunistë të Bashkimit Sovjetik (b) të datës 27 mars, që akuzonte Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe liderët e saj për linjë anti-sovjetike, gabime oportuniste dhe revizionim të parimeve themelore të marksizmit-leninizmit. Para Shqipërisë u ngrit një pyetje e vështirë: Më kë palë të bëheshin? Vendimi u mor në favor të Bashkimit Sovjetik.

Më 1 korrik 1948, Qeveria shqiptare lajmëroi anulimin e marrëveshjeve me Jugosllavinë dhe largimin nga vendi të këshilltarëve jugosllavë, numri i të cilëve në këtë kohë përbëhej nga rreth 600 njerëz. Kursi i ri politik, që zgjodhi vendi, nisi me spastrimet nga radhët e partisë dhe ndryshimin e emrit të saj, nga komuniste në Parti e Punës, sipas një këshille personale të Stalinit. Në kuadrin e marrëveshjeve për ndihmë ndaj Shqipërisë, nisën të dërgoheshin mallra industriale e ushqimore si dhe të lëshoheshin kredi. Paketa më e madhe e marrëveshjeve tregtare e ekonomike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë nënshkruhet në prill 1957. Qeveria sovjetike e çliroi Sh qipërinë nga pagesa e kredive, shuma e të cilave deri në këtë kohë kishte shkuar në 422 milionë rubla. Bashkimi Sovjetik e ndihmoi Shqipërinë të vendoste shtyllat e ekonomisë, ndërtoi 93% të gjithë infrastrukturës për naftën dhe industrinë minerare, rreth 90% të transportit automobilistik, solli më shumë se 80% të traktorëve dhe 65% të makinave të tjera bujqësore.

Një ndihmë e konsiderueshme u dha edhe në fushën ushtarake. Një vëmendje e veçantë ju kushtua përforcimit të bregdetit të Adriatikut. Fakti ishte se në këtë periudhë i gjithë rajoni i Mesdheut futej në zonën e rivalitetit mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Situata në zonë u ndërlikua me futjen në vitin 1952 të Turqisë dhe Greqisë në NATO. Në këto kushte mundësia nga ana e Turqisë të kontrollonte ngushticat e Bosforit dhe të Dardaneleve, e vetmja rrugë detare në jug, që lidhte Bashkimin Sovjetik me detet e tjera dhe oqeanin botëror, si dhe prezenca konstante në Mesdhe e Flotës së 6 Amerikane, përbënin një kërcënim të pashmangshëm për sigurinë e Bashkimit Sovjetik. Hapat e parë për ndryshimin e situatës u ndërmorën në fillim të viteve 1950. Në fund të majit 1954 në Shqipëri shkoi një skuadër e anijeve luftarake sovjetike të kryesuara nga kryqëzori “Admiral Nahimov”…

Në një nga ditët e qëndrimit në Shqipëri, në radën e portit të Durrësit, në një nga anijet tona erdhën drejtuesi i florës, Admirali Gorshkov dhe Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel, Beqir Balluku. Anija ngriti spirancën dhe shpejt shkoi në gjirin e Vlorës, ku drejtuesit e lartë vëzhguan një port natyral të pozicionuar në mënyrën më të jashtëzakonshme… Në fund të viteve 1950 nisi të realizohej plani i themelimit të një venddislokimi të përhershëm të anijeve sovjetike në Shqipëri. Në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, nga 26 korriku 1957 deri në 22 prill 1959 në gjirin e Vlorës nisi të ndërtohej baza luftarako-detare si dhe një aerodrom ushtarak…

PRISHJA E MADHE
…Kulmin e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e shënoi vizita e Hrushovit në Shqipëri, në maj të vitit 1959. Kjo ishte vizita e parë në këtë vend e një zyrtari të një rangu kaq të lartë të shtetit sovjetik. Gjithsesi periudha e euforisë kaloi shpejt. Shqiptarët nisën të afroheshin më shumë me kinezët, duke e ndjerë se me ndërrimin e partnerit do të kishin më tepër përfitim. “Ndëshkimi” sovjetik nuk vonoi. Mallrat nisën të vinin me vonesë dhe jo të plota si dhe u refuzuan kërkesat për furnizim me traktorë sovjetikë etj… …Pas mbledhjes së Moskës, udhëheqja sovjetike i kaloi mosmarrëveshjet politike në sferën e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe u shkua në zgjidhjen e lidhjeve ekonomike.

Vijoi anulimi nga ana sovjetike i kredive për të cilat ishte rënë dakord, të dhëna për planin e tretë pesëvjeçar (1961 – 1965)… Nga Shqipëria u tërhoqën specialistët që punonin në ndërmarrjet shtetërore, ndërsa studentëve shqiptarë, përfshirë edhe ata që merrnin leksione të taktikave ushtarake, ju hoq e drejta të vazhdonin studimet në Bashkimin Sovjetik… Nga shkurti i vitit 1961 Moska i vuri zhurmues edhe transmetimit të valëve të Radio-Tiranës në gjuhën ruse. Në mars të vitit 1961 Presidiumi i KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik vendosi likuidimin e bazës së Vlorës, miratuar në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Politik Konsultativ të vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Beqir Balluku, që merrte pjesë në këtë mbledhje, protestoi për këtë vendim duke deklaruar se Shqipërinë po e linin të vetme përballë Flotës së 6 Amerikane. Por ky kundërshtim  nuk gjeti mbështetje. Sipas marrëveshjes sovjetoshqiptare, në Vlorë u lanë 4 nëndetëse, baza lundruese “Nemçinov” dhe infrastruktura bregdetare. Sipas të dhënave nga shtypi i emigrantëve (diaspora shqiptare, red.), nëndetëset, që i’u dhanë shqiptarëve në fillim të viteve 1970, vazhdonin të bënin dezhurn luftarak në detin Adriatik…

PLANI I PUSHTIMIT TË SHQIPËRISË
Në mesin e vitit 1961, në Moskë u përpunua plani i zgjidhjes forcërisht të “problemit shqiptar”. Ai parashikonte përmbysjen e Enver Hoxhës me ndihmën e komunistëve shqiptarë “besnikë të idealeve socialiste” dhe drejtimit të tyre ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës me kërkesën për “ndihmë ushtarake”. Pas kësaj, ushtarët e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera socialiste, veç Rumanisë, që refuzoi të merrte pjesë për “ndihmë”, duhet të futeshin në Shqipëri nga veriu dhe lindja, – përmes Jugosllavisë, dhe nga jugu, – përmes detit Jon. “Çlirimi” i Shqipërisë ishte planifikuar të realizohej jo më vonë se 1 shtatori 1962.

Por, acarimi i marrëdhënieve sovjeto-amerikane për shkak të Kubës (Kriza e Karaibeve) nuk lejoi realizimin e planit në afatet e parashikuara. Duke përfituar nga kjo shtyrje, udhëheqja shqiptare mori masa parandaluese. Pranverën e vitit 1962, gjatë kohës së vizitës së radhës së Enver Hoxhës dhe kryeministrit të vendit, Mehmet Shehu, në takimin me liderët kinezë, Mao Ce Dun dhe Çu En Lai, u arrit marrëveshja për ndihmë të gjithanshme Shqipërisë nga ana e Kinës. Pas kësaj në vend nisën të shkonin këshilltarë ushtarakë kinezë, armatime, municione. Në kohë të shkurtër nisën të ndërtoheshin vendstrehime nëntokësore, të cilat në vitin 1968 përfshinë pothuaj të gjithë territorin e vendit. Njëkohësisht u bë edhe pastrimi i radhëve të partisë, në radhë të parë të aparatit shtetëror. Si rezultat i kësaj, në vitet 19601962 u rinovua në masën deri në 70 për qind përbërja e Komitetit Qendror, udhëheqjes si dhe shumë ministrive dhe departamenteve. Këto masa “kuruese” i realizonte Sekretari i KQ të Partisë së Punës, Ramiz Alia, që u bë më pas pasardhës i Enver Hoxhës. Në verën e vitit 1962 Moska i’u rikthye “çështjes shqiptare”. Roli kryesor i planit për “destalinizimin” e vendit iu dha liderit jugosllav, J. Tito.

Në Moskë bënin llogari se, aleanca shqiptaro-kineze, politika antijugosllave dhe propaganda e Tiranës, dhe gjithashtu apeli në rritje i Enver Hoxhës kundër “diskriminimit të shqiptarëve të Kosovës”, do ta detyrojnë Beogradin të bashkëpunonte me Bashkimin Sovjetik. Në korrik të vitit 1962 Nikita Hrushovi i kërkoi Titos leje për kalimin e ushtrisë së Traktatit të Varshavës përmes Jugosllavisë drejt kufijve shqiptarë. Por, duke mos marrë parasysh konfliktet me Enver Hoxhën, Titua refuzoi ta ndihmonte Hrushovin. Për më tepër ai konfidencialisht i lajmëroi krerët shqiptarë për planet e Moskës, por edhe Kryeministrin indian, Nehru, Presidentin e Egjiptit, Naser dhe atë të Indonezisë, Sukarno (Tito ishte përfshirë në një aleancë politike me këto shtete, red.) për synimet e Hrushovit për ti dhënë një “mësim” të mirë Tiranës.

Duke iu frikësuar daljes në publik të këtyre planeve, Moska vendosi të tërhiqej, ndërkohë që konflikti me amerikanët për shkak të Kubës, tashmë në kulmin e vet, ndryshoi përfundimisht prioritetet gjeopolitike të sovjetikëve. Gjithsesi humbja e Shqipërisë pati pasoja të rënda jo vetëm për Bashkimin Sovjetik. U dobësua në mënyrë të ndjeshme pozita strategjiko-ushtarake e gjithë kampit socialist për
ballë bllokut të NATO-s. Sipas publicistit gjerman Harry Hamm, “për vendet komuniste të Ballkanit që nga kjo kohë u bë e pamundur të zbatonin një politikë të pandryshuar në marrëdhëniet me Turqinë e Greqinë pa ndihmën e fuqishme të Bashkimit Sovjetik”. Për sa i përket Shqipërisë, ajo deri në vitin 1978 ndoqi këshillat e “mikut të ri”, Kinës së Madhe dhe shfrytëzoi kreditë e saj.

Më tej, për disa vjet me radhë, u gjend pothuaj në izolim të plotë politik. Në kohën e krizës jugosllave Presidenti shqiptar, Sali Berisha (zgjedhur më 4 prill 1992) mbështeti SHBA në përpjekjet për të mbushur vakumin e krijuar në Evropën Lindore pas daljes prej andej të Bashkimit Sovjetik. Duke u përpjekur për të përfituar nga vendndodhja e Shqipërisë, si një nga pikat më të rëndësishme strategjike të Mesdheut Lindor, vendit iu ofrua ndihmë ushtarake. Për këto qëllime, në buxhetin e Pentagonit u parashikuan kredi në masën 2 milionë USD për blerjen e armëve dhe uniforma për ushtrinë shqiptare. Qeveria dhe Berisha, nga ana e tyre, vunë aerodromet në dispozicion të avionëve zbulues amerikanë. Kjo e ndihmoi NATO-n të realizonte vëzhgime aktive të territorit të Bosnjës në vitin 1995″./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb