Ish- deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi, ka reaguar në lidhje me aksionin e IKMT-së për prishjen e një pjese të “Prestige Resort” në Golem.

Me anë të një postimi në Facebook, Këpaçi u shpreh se mesazhi që tentohet të përcillet është i qartë: Kushdo që përpiqet të zbulojë të vërtetën, shpallet i paligjshëm.

Postimi:

Siguria Juridike në Shqipëri është goditur rëndë nga qeveria Rama në këto 10 vite.

Askush nuk është më i sigurt, për të ndërtuar një jetë të qetë, me mbrojtje nga Kushtetuta, Konventat Ndërkombëtare dhe Ligjet.

Kjo gjë është parë me dhunimin e pronës tek banorët në Tiranë tek zona e Kombinatit, 5 Maji, Unaza e Re; përgjatë bregdetit, e vijon të zbatohet si sjellje armiqësore e administratës shtetërore ndaj taksapaguesve që e mbajnë në këmbë.

Goditjet e matrapikut të IKMT mbi një tjetër strukturë turistike sot, Prestige Resort, ngjajnë figurativisht me goditjet dhunuese që qeveria do donte t’i ushtronte mbi çdo zë opozitar, mbi çdo mendim ndryshe në vend.

Siç është bërë publike nga punonjësit e grupit pronar të strukturës turistike, kjo ngjarje e paligjshme vjen pas denoncimeve të medias pjesë të grupit, ndaj korrupsionit, abuzimit dhe shkeljeve ligjore të qeverisë.

Ironia qëndron tek fotot e nxjerra sot, ku tregohet kupola drejtuese e Partisë Socialiste dhe qeverisë duke frekuetuar vazhdimisht këto ambjente.

Mesazhi është i qartë: Kur je me mua, je me leje; kur zbulon të vërtetën je i paligjshëm…
Skenë e shëmtuar, që u pa me tmerr nga turistët e huaj prezent, dhe nga gjithë bota.

Ngjarjen e sotme e përshkroi shumë qartë në intervistë Live një turiste daneze që pa ngjarjen: “….Kjo është sjellje primitive, ose siç sillen fëmijët…Nuk do të ndodhte kurrë tek ne…Nëse doni të vazhdoni drejt BE, duhet të filloni të silleni ndryshe…”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb