INDONEZI– Tre kisha janë goditur nga sulmet kamikaze në qytetin e dytë më të madh në Indonezi, Surabaja, duke vrarë të paktën 10 persona, ka bërë të ditur policia. Rreth 40 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë sulmeve që ndodhën pak minuta larg njëra-tjetrës.

Policia e Indonezisë ka bërë të ditur se pas këtij sulmi fshihet një familje. Nëna me dy fëmijë ka shkuar në një kishë dhe ka hedhur vetën në erë, ndërsa babai me tre fëmijët e tjerë kanë hedhur vetën në erë në dy kishat e tjera.

Militantët e Shtetit Islamik ISIS kanë marrë përgjegjësinë për sulmin. Ngjarja e së dielës konsiderohet si ngjarja më e rëndë që ka goditur Indonezinë që prej vitit 2005.

Sakaq, më herët gjatë këtij muaji, anëtarë të forcave të sigurisë së Indonezisë u vranë gjatë një konflikti me disa të dënuar militantë islamikë në një burg të sigurisë së lartë në periferi të Xhakartës.

Indonezia, vend me shumicë myslimane, ka parë një rritje të numrit të militantëve islamikë gjatë muajve të fundit. Megjithatë, ky konsiderohet si sulmi më rëndë i kryer nga ISIS që ka goditur Indonezinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb