Ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan është sulmuar në shtëpinë e tij në Kartum, teksa vazhdojnë luftimet në këtë shtet.

Lajmin e ka konfirmuar kryedipomati i BE-së, Josep Borell.

“Kjo përbën shkelje të Konventës së Vjenës. Siguria e stafit diplomatik është përgjegjësi e autoriteteve sudaneze dhe obligim, sipas ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Ai nuk ka bërë të ditur për hollësitë si ka ndodhur sulmi dhe nëse është lënduar ambasadori.

Ndonëse Borrell nuk ia ka përmendur emrin, ambasadori i bllokut evropian në Sudan është Aidan O’Hara, diplomat irlandez.

Sudani është përballur të hënën me ditën e tretë të luftimeve në mes të ushtrisë dhe grupit paramilitar të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Të dyja palët pretendojnë se kontrollojnë zonat kyçe në Kartum.

Banorët janë duke tentuar të gjejnë streha për t’iu ikur shpërthimeve.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sudanin, Volket Perthes, ka thënë se rreth 185 persona kanë vdekur si pasojë e konfliktit, derisa mbi 1.800 të tjerë janë plagosur.

Zëdhënësi i Departmaentit amerikan të Shtetit, John Kibry, ka thënë se aktualisht nuk ekzistojnë plane për të evakuuar personelin amerikan.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të luftimeve./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb