Grupi militant “Al Shabaab” e ka sulmuar një bazë ushtarake në Lamu të Kenias. Ushtria keniane tha se i ka vrarë së paku katër sulmues, ndërsa sulmi është duke vazhduar për më shumë se katër orë. Kjo bazë përdoret nga forcat amerikane dhe forcat vendore.

“Ata e kanë sulmuar pistën Manda në Lamu, e cila ndodhet pranë kampit ushtarak me personel të huaj nga shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kemi informata se luftimet ende janë duke vazhduar”, tha një burim ushtarak.

Ky burim tha se sulmuesit janë duke u përpjekur që t’i qasen bazës përmes pistës. Në disa pamje të publikuara shihet tym i zi.

Përgjegjësinë për sulmin përmes një deklarate e mori grupi Al Shabaab. “Një grup elit i ushtarëve të brigadës Al Mujahideen e ka nisur një sulm të guximshëm ndaj një baze ajrore amerikane”, thuhet në deklaratën e këtij grupi.

Sulmi filloi në orët e hershme të mëngjesit dhe është duke vazhduar ende, për më shumë se katër orë.

Nuk ka raportime për pasoja në njerëz në radhët e ushtrisë keniane, por zëdhënësi i ushtrisë së këtij shteti tha se të paktën katër sulmues janë vrarë.

Në anën tjetër, grupi “Al Shabaab” tha se i ka shkatërruar së paku shtatë aeroplanë dhe tri automjete ushtarake gjatë këtij sulmi.

Ky sulm ndodhi rreth një vit pas sulmit vetëvrasës në kryeqytetin kenian, Nairobi, në të cilin mbetën të vrarë 21 persona, shkruan “Reuters”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb