PRIZREN

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro është sulmuar fizikisht teksa po shkonte në vendin e punës. Mediat kosovare shkruajnë se Prokurori, i cili u dhunua ka përfaqësuar në gjykatë një rast, në cilën ka qenë i përfshirë edhe personi që e sulmoi fizikisht.

Agresori goditi në kokë prokurorin duke i shkaktuar plagë të forta, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e vërteta të ngjarjes. Aktualisht, prokurori Skoro është duke marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit për lëndimet e shkaktuara nga sulmuesi.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagon fuqishëm ndaj këtij akti të kundërligjshëm dhe qëndron pranë prokurorit Skoro dhe çdo prokurori tjetër duke i mbështetur ata në ushtrimin e detyrave të përditshme në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor.

“Të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb