SHKODËR

Makina e në biznesmeni në Shkodër është shkatërruar gjatë natës së kaluar. Mësohet se mjeti tip “Tiguan”, me targë AA 289 OA, me ngjyrë të bardhë, është sulmuar në fshatin Hot i Ri, ku i janë thyer xhamat dhe i janë shkaktuar dëme të tjera.

Mjeti është në pronësi të biznesmenit Nikolin Shqau, ndërsa është goditur teksa ndodhej e parkuar përpara derës së shtëpisë së biznesmenit.

Ka qenë sinjali i mjetit, që ka alarmuar biznesmenin, i cili kur ka dalë jashtë, ka parë mjetin e dëmtuar. Ai ka njoftuar menjëherë policinë dhe efektivët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet.

Autorët e kanë goditur mjetin tip Tiguan me një shufër hekuri duke thyer xhamat në pjesën e përparme dhe të pasme të mjetit.

Më pas, shufrën e hekurit e kanë hedhur brenda makinës. Ndërkohë, në anën e djathtë të mjetit, afër pasqyrës autorët kanë lënë edhe një letër të shkruar, teksti i të cilës nuk dihet, por për hetuesit ky është një mesazh ndaj biznesmenit.

Janë të paqarta arsyet e kësaj ngjarjeje të ndodhur, pasi Nikolin Shqau ka deklaruar se nuk ka konflikte me ndonjë person.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb