Mëngjesin e sotëm është sulmuar me armë zjarri një patrullë e Policisë së Kosovës, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Policia e Kosovës bën me dije se nuk ka të plagosur, ndërsa ka nisur hetimi i ngjarjes.

Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve”, njofton policia.

  • foto galeri

Kujtojmë se edhe pak ditë më parë është sulmuar sërish me armë patrulla e policisë në veri të Kosovës, ndërsa për fat të mirë nuk pati të lënduar.

Lidhur me këtë ngjarje Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, u shpreh se sulm ndaj Policisë së Kosovës ndodhi ndërsa kjo e fundit ka qenë duke shkuar për të nisur ndërrimin në pikat kufitare.

“Ky sulm, tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb