Hajdutët kibernetikë, të cilët vodhën miliona numra kartash krediti e debiti nga rrjetet më të mëdha komerciale në Shtete të Bashkuara, kanë përfunduar në pranga, bëjnë me dije autoritetet amerikane.

Të arrestuarit janë pjesë e grupit të njohur FIN-7 në Evropën Lindore, të dyshuar për disa sulme kibernetike ndaj më shumë se 120 kompanive amerikane në tre vitet e fundit.

Grupi kryente sulme kryesisht në industrinë e restoranteve, lojrave të fatit dhe mikpritjes, sipas prokurorëve.  “Hetimi vazhdon, nuk kemi asnjë iluzion se e kemi mposhtur plotësisht këtë grup, por i kemi dhënë një goditje të madhe: këta hakerë mendojnë se mund të fshihen pas tastierave në vende të largëta dhe se mund t’i shpëtojnë krahut të gjatë të ligjit amerikan, por e kanë të pamundur,” tha prokurorja e çështjes, Annette Hayes.

Zyrtarët i identifikuan tre të arrestuarit si shtetasit ukrainas Dmytro Fedorov, 44 vjeç, Fedir Hladyr, 33 vjeç dhe Andrii Kolpakov, 30 vjeç.

“Ka qenë një hetim afatgjatë dhe i sofistikuar ndaj një grupi të krimit të organizuar që i kalonte kufijtë e vendeve dhe që e identifikuam përmes ekspertizës së avancuar kibernetike,” thotë Jay Tabb, Agjent i posaçëm i FBI-së.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: