Prestige ka marrë fitoren e saj të radhës në Sunday League, teksa mbrëmjen e djeshme ka mposhtur me rezultatin tenistik 6-2 skuadrën Coca Cola Tepelena, në takimin e vlefshëm për Grupin B. Ashtu sikurse edhe pritej, një herë fituesit e SLA-së, nuk e patën aspak të vështirë ndaj një kundërshtari që pozicionohet në vend të fundit. Sfida e zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili” u dominua nga Prestige, ndonëse në momente të caktuara skuadra pati ulje të përqendrimit.

Që në fillim Prestige u hodh në sulm në kërkim të golit. Në të 10-ën, Allmeta do të shënonte pas një skeme mjaft të bukur gjatë një goditjeje standarde, por goli u anulua për një pozicion shumë të dyshimtë jashtë loje. Megjithatë, 4 minuta më vonë, ishte Shima ai që i zhbllokoi shifrat, teksa devijoi në rrjetë një top në shtyllën e dytë, pas një harkimi të bukur nga Shaqe.

Por menjëherë me anë të një kundërsulmi Coca Cola Tepelena riktheu baraspeshën. Në fundin e pjesës së parë Allmeta me një të djathtë të fuqishme nga distanca, e dërgoi sferën në trekëndësh, duke kaluar sërish në avantazh Prestige. Në fillimin e pjesës së dytë Shaqe me një goditje të saktë brenda zone i dërgoi shifrat në 3-1, ndërsa në aksionin pasardhës Coca Cola Tepelena ngushtoi në 3-2.

Pas një asisti të Karatit, për Vashën ishte lojë fëmijësh shënimi i golit të katërt për Prestige. Në minutat finale, Kurpali realizon të pestin nga pika e parë, pas një penalltie të fituar nga po vetë ai. Në fund Shima vulosi triumfin 6-2, duke ekzekutuar bukur një goditje standarde, për të kompletuar dopietën personale

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb