Prestige është skuadra e parë gjysmëfinaliste në Sunday League Albania për edicionin 2021-2022. Një herë kampionët e SLA-së mbrëmjen e djeshme kaluan me sukses pengesën Oktapus Security në çerekfinale.

Pas një loje shumë të luftuar, për të përcaktuar fituesin u nevojit koha shtesë, aty ku Bektash Vasha me golin e tij i dha suksesin Prestige me rezultatin 1-0.

Kështu, Prestige hedh një tjetër hap të rëndësishëm që e afron edhe më shumë me titullin në kampionatin e futbollit me 9 lojtarë. Kujtojmë që prej themelimit të këtij kompeticioni, tri vite më parë, Prestige mbetet skuadra e vetme e pamposhtur, pasi nuk njeh ende asnjë humbje në kohë të rregullt apo shtesa.

NDESHJA – Ashtu sikurse pritej, sfida e djeshme në kompleksin “Football Republic” ishte me rivalitet të lartë, teksa të dyja ekipet kërkonin kualifikimin.

Në fushë nuk mungoi lufta e fortë sportive, madje as tensioni, pasi lojtarët ishin futur shumë të karikuar në fushë. Si gjithnjë, Prestige u përpoq t’i impononte lojën e tij kundërshtarit, duke shtyrë më shumë përpara.

Por nga ana tjetër edhe Oktapus ishte vendosur mjaft mirë në prapavijë, madje duke rrezikuar edhe në sulm. Kështu, 60 minutat e kohës së rregullt u mbyllën me rrjeta të paprekura, ndërsa takimi iu drejtua shtesës.

Por kur dukej se gjithçka do të zgjidhej nga penalltitë, Prestige shfaqi në fushë edhe një herë tjetër armën më të fortë, mentalitetin fitues, duke mos u kënaqur kurrë me barazimin.

Kështu, në të 65-ën, Xhaferi bën një lëvizje të shkëlqyer nga e djathta, teksa shmang një mbrojtës, për të lëshuar nga anësorja një të majtë të fortë në drejtim të portës.

Portieri i Oktapusit e ndal në momentin e parë, me topin që më pas shkon në traversë. Aty nuk fal Vasha, i cili me instinktin e sulmuesit e ndjek aksionin për ta dërguar sferën në rrjetë pas një goditjeje më kokë.

Më tej Prestige e menaxhon me qetësi epërsinë, duke siguruar edhe biletën e gjysmëfinales, ku përballë do të gjejë fituesin e ndeshjes së sotme, NovaRoamel.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb