Nga: ZONJA KATERINA

1 kg peshq të vegjël të ndryshëm
1 kokë salmon
1 racion salmon
2-3 degë selino
1-2 gjethe dafine
3 patate
3 karrota
3 kunguj
1 domate
1 qepë
4 lugë oriz
2 lugë vaj ulliri
2 litra ujë
Kripë, piper kokërr dhe piper i bluar

Në një tenxhere me 1 litër ujë vendosim peshqit dhe kokën e salmonit. Shtojmë 2 degë selino, 1 gjethe dafine dhe disa kokrra piperi dhe i lemë peshqit të ziejnë në temperaturë të lartë. Pastrojmë shkumën herë pas here dhe më pas ulim temperaturën në mesatare dhe e lemë të ziejë për rreth 15-20 minuta. Më pas kullojmë buljonin dhe pastrojmë kokën e salmonit dhe peshqit nga halat.

Ndërkohë në një tenxhere tjetër me 1 litër ujë të ftohtë vendosim 3 patate, 1 domate dhe 1 qepë, i lemë të marrin 2-3 valë, më pas shtojmë 3 karrota, 2-3 kunguj dhe degëzat me gjethe të selinosë. I lemë të ziejnë për 15-20 minuta dhe në fund rregullojmë shijen me kripë dhe piper.

Largojmë perimet nga tenxherja. 2 karrota, 2 kunguj dhe gjethet e selinosë do i përdorim për një sallatë dhe i vendosim në ujë të ftohtë me akull që të ruajnë ngjyrën. I lemë për 1 minutë dhe i vendosim në një pjatancë duke i prerë në fetëza. Shtojmë dhe 1 patate të prera në feta rrumbullake. Pjesën tjetër të perimeve (1 domate, 2 patate dhe 1 karrotë) e kalojmë në blender me pak nga lëngu i supës, lëng limoni dhe 2 lugë vaj ulliri.

Të dyja lëngjet e kulluara të peshkut dhe perimeve i bashkojmë në një tenxhere ku shtojmë orizin e larë, e përziejmë dhe e lemë të ziejë. Nga fundi i zierjes shtojmë salcën kremoze që përgatitëm ne blender. E lemë të marrë valë duke shtuar dhe pjesën e mishtë të peshqve që pastruam.

Marinojmë sallatën me perime me vaj ulliri dhe lëng limoni dhe e servirim me supën e peshkut.

Shenim: Nëse tek supa përveç peshqeve të vegjël do të kemi dhe 1 racion fileto salmoni ose ndonjë peshk tjetër (levrek, koc, qefull, etj) e shtojmë kur të kemi kulluar lëngun e peshqëve të vegjël dhe e lemë për 10 minuta të marrë valë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb