Pas pohimit se kishte njohuri për rrezikshmërinë e COVID-19 qysh nga muaji shkurt, një tjetër pjesë e intervistës së Donald Trump me gazetarin Bob Woodward, që do të botohet në librin e këtij të fundit, Rage, po shkakton polemika por edhe një frikë të një përshkallëzimi bërthamor.

Në një pjesë të intervistës, duke folur për marrëdhëniet me Korenë e veriut, Trump flet për një armë sekrete bërthamore, e padëgjuar nga njerëzimi dhe nga vendet e tjera, që SHBA ka përfunduar.

“Kemi ndërtuar një armë bërthamore që asnjë nuk ka patur më parë, që Putin dhe Xi nuk e kanë dëgjuar më parë, është e pabesueshme, fundi i botës”.

Mund të ishte një nga fjalitë e ekzagjeruara të presidentit amerikan, por në fakt sipas vetë Woodward, burime anonime nga Pentagoni e kanë konfirmuar lajmin, edhe pse të shqetësuara nga zbulimi publik i presidentit.

Mediat amerikane, gjithmonë të vëmendshme për sa i përket projekteve të Pentagonit, po tentojnë të kuptojnë si mund t’i ketë kaluar poshtë syve një armë e tillë, e pa deklaruar dhe me sa duket e pa financuar, të paktën zyrtarisht.

Disa flasin për bombën bërthamore taktike W76-2, me fuqi të reduktuar por që është tashmë pjesë e arsenalit të disa nëndetësve amerikane. Por një armë e tillë nuk do të meritonte fjalët, dhe egon, e presidentit amerikan.

Atëherë spekulime të tjera mendojnë se arma nuk ka kaluar poshtë syve të analistëve ushtarakë, por sipër. Me muaj të tërë është folur për misionet e anijes kozmike X-37, misioni i së cilës në hapësirë nuk është sqaruar kurrë.

Të jetë ideja e vjetër e Lutës së Ftohtë, që parashikonte armatimin e sateliteve me raketa bërthamore? Një hipotezë e frikshme për ekuilibrat botërore, por që tonet e paprecedentë nuk mund ta shmangin totalisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb