Arbitrimi, ligji i ri për sportet dhe detyri mi që klubet duhet të sigurojnë hapësirën e brendshme me sekjuriti si dhe skema e kampionatit. Këto kanë qenë disa nga temat e komentuara nga shefi i Sektorit të Garave në FSHF. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Lysjen Nurishmi komenton edhe çështjet ligjore që po ndjek Skënderbeu si dhe ndikimin që ka në renditjen e Superiores.

Si ka qenë ky vit për Sektorin e Garave?
Mendoj se ka qenë një vit me të mirat dhe problematikat e tij. Vijojmë me administrimin e shumë ndeshjeve të të gjitha niveleve, pasi nuk është vetëm Superiorja apo Kategoria e Parë, por në vijimësi deri te “futsall” apo futbolli i femrave. Natyrisht që theksi është më shumë te Kategoria Superiore, por në tërësinë e saj Sektori ka administruar dhe menaxhuar një gamë të madhe ndeshjesh. Fakti që disa ekipe janë në garë për të siguruar një vend në kompeticionet e UEFA-s, tregon se gara është e hapur deri në javën e fundit.

A janë ekipet më të fuqishme ekonomikisht se një sezon më parë?
Kam mendimin që një pyetje e tillë do të ishte më mirë për presidentët e klubeve. Por, edhe vetë ju nëpërmjet hulumtimeve tuaja apo edhe pasqyrimeve, konstatoni le të themi merkato intensive, faza përgatitore të zhvilluara jashtë apo edhe një kurim më të plotë të skuadrës (i referohem këtu Kategorisë Superiore). Mund të them që jo vetëm këtë vit, por çdo sezon kujdesi dhe suporti financiar ka qenë konstant dhe madje, edhe në rritje. Natyrisht që rritja ekonomike e tyre konsiston edhe me të ardhura më shumë, kryesisht me klubet që fitojnë trofe dhe gëzojnë të drejtën të luajnë në kompeticionet europiane apo edhe klube, të cilat arrijnë akorde transferimesh për lojtarë të ndryshëm.

Policia ka hedhur idenë ose ka vendosur që në të ardhmen e afërt, të heqë dorë nga sigurimi i pjesës së brendshme në stadiume, e cila duhet të mbulohet me siguri private nga klubet. Çfarë do të ndodhë nëse merret kjo masë?
Në ligjin e ri të sportit është parashikuar që siguria në shkallet e stadiumeve të menaxhohet nga vetë klubet dhe Policia e Shtetit do të jetë prezente në ambientet e jashtme. Kuptohet që për klubet me të ardhura të pakta financiare, është një problem më vete. Megjithatë, me Policinë e Shtetit ka pasur dhe do ketë takime për të gjetur një marrëveshje midis Policisë së Shtetit, klubeve dhe FSHF-së për të garantuar sigurinë brenda rrethimit të stadiumit.

A keni pasur konsulta konkrete me Policinë për këtë vendim?
Siç e përmenda edhe më lart, ka pasur dhe do të ketë takime për të gjetur një zgjidhje, pasi për klubet në Kategorinë e Parë dhe të Dytë është mjaft e vështirë për të financuar kompani private sigurie për ndeshjet përkatëse. Mendoj se do të arrihet një marrëveshje për të mirën e futbollit dhe zhvillimin sa më normal të ndeshjeve në të gjitha kategoritë sportive.

Shumë kontestime për arbitrimin edhe këtë sezon. Si është arbitrimi në raport me një vit më parë sipas jush?
Kontestimet janë pjesë e lojës. Problematika e vendimeve arbitrale ekziston dhe do të ekzistojë. Në raport me një vit më parë, mund të them që gabimet janë minimizuar, por e them me bindje që vendimet e tyre nuk kanë ndikuar në klasifikimin aktual të deritanishëm. Kur ka garë, ka edhe problematika të tilla, që i shohim edhe përtej kampionatit shqiptar. Sidoqoftë vetë aktorët e garës, një pjesë të mirë të ecurisë së skuadrës duhet ta shohin ta shohin te performanca e ekipit, duke mos lëshuar çdo javë faturën te vendimet e arbitrave, të cilat në raste të veçanta edhe janë jo të sakta.

Në një forum të bërë nga gazeta “Panorama Sport” me drejtuesit e ekipeve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, 15 nga 30 kërkojnë Superiore me 14 ekipe. Në gjykimin tuaj, a duhet ndryshuar struktura?
Në lidhje me këtë mund t’ju them që një vendimmarrje e tillë i përket Komitetit Ekzekutiv, bazuar natyrisht mbi vullnetin e klubeve, por edhe mbi bazën argumentuese për ndryshimin e formatit. Por, të mos harrojmë që të kemi një Superligë me standarde të larta ku duam të arrijmë, me 14 skuadra e vështirëson një diçka të tillë, pasi kriteret e infrastrukturës administrative dhe atij sportiv nuk garantojnë një mirëfunksionim të tillë. Ne u njohëm natyrisht edhe me sondazhin tuaj, por natyrisht që nuk është kjo forma e vetme për të shkuar në një vendimmarrje përfundimtare, pasi duhen studime të mirëfillta, në mënyrë që Komiteti Ekzekutiv të hedhë një hap të tillë për garën. Mendoj se në momentin që edhe klubet e Kategorisë së Parë do të kenë infrastrukturë që i afrohet Kategorisë Superiore dhe përmbushin kriteret e licencimit, atëherë do të krijohej mundësia për të rritur numrin e klubeve në Superiore. Në momentin që do të krijohet Liga Profesioniste, vetë klubet do të jenë më të kujdesshme për të pasur një produkt të standardeve të larta, duke gjetur strukturën dhe skemën më të mirë të mundshme.

Çështja e Skënderbeut mban pezull shumë skuadra (për Europën). Sa ndikon në garë për këto ekipe?
Nuk mendoj se një çështje e tillë po mban peng shumë skuadra. Në lidhje me çështjen e Skënderbeut, mund të them që kjo skuadër po bën kampionatin e saj dhe paralelisht është duke realizuar procesin e saj. Po kështu edhe për skuadrat e tjera të kampionatit, mendoj se nuk e lidhin aspak çështjen me Skënderbeun, pasi po bëjnë kampionatin e tyre. Janë të paktën 3 skuadra që po luftojnë për një biletë në Kupat e Europës. Pra, gara vazhdon më se e hapur deri në ndeshjen e fundit.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-superiore-me-14-skuadra-shefi-i-garave-ne-fshf-ja-pse-nuk-kemi-garanci/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb