Pas një viti të mbyllur me një njollë të errët, hijet e trukimit zbehën shumë atë që Skënderbeu bëri gjatë sezonit të shkuar, “ujqërit e dëborës” zbresin sot për herë të parë në fushë, luhet Superkupa e Shqipërisë. Për qytetin e Korçës, për presidentin Takaj, për futbollistët dhe për çdo tifoz të klubit bardhekuq, finalja përballë Kukësit është një mundësi e artë për ti vërtetuar çdo skeptiku që ata janë aty, janë në garë për çdo gjë të rëndësishme që ofron futbolli shqiptar.

Pas një ndryshimi total, që nisi me largimin e disa ikonave të klubit duke filluar nga ish trajneri Josa, kapiteni Shkëmbi, Arapi, Vangjeli etj, Skënderbeu kërkon sot trofeun e parë. Superkupa i gjen dy skuadrat në një situatë të veçantë, por njëkohësisht edhe shumë të ngjashme. Andrea Agositinelli dhe Ernest Gjoka kanë premierën e tyre, askush nuk dëshiron të humbasë një finale, mbi të gjitha dy trajnerët që dëshirojnë të vërtetojnë se janë të aftë të jenë të suksesshëm në dy prej klubeve më të rëndësishme për momentin në Superligë.

Italiani ka pasur më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur këtë sfidë, e njeh më mirë grupin që ka në dispozicion, mbi të gjitha një pjesë e futbollistëve vazhdojnë ta kanë të “pronotuar” një vend si titullar. Kapiteni Shehi vazhdon të jetë “engjëlli” mbrojtës, ndërsa pjesa tjetër e prapavijës pritet të formohet nga Radas dhe Osmani në qendër, ndërsa Idrizaj dhe Mici do të zëvendësojnë krahët e larguar Vangjeli dhe Arapi. Në mesfushë dyshja e qendrës mbetet e pandryshuar me Lilajn dhe Orelesin, ndërsa krahët kompletohen me Fukuin dhe Latifin. Hamdi Salihi është sulmuesi i vetëm që e ka vendin e sigurt ndërsa Xhejms dhe Boniface janë në balotash për t’iu bashkuar shkodranit në sulm.

Krejt ndryshe është situata tek Kukësi, një skuadër e cila vazhdon të ndryshojë imazh pas çdo sezoni ku nuk përmbushën objektivat. Rikthimi i Pero Peijç, rikthen besimin se ky mund të jetë viti i duhur, kroati edhe një herë do të jetë pika e referimit në sulmin kuksian. Trajneri Gjoka pritet ta nisë këtë finale me skemën 4-3-1-2. Koliqi merr vendin e titullarit në portë edhe për këtë sezon, ndërsa nga krahët do të luajnë Arbri dhe Hallaçi. Në qendër të mbrojtjes është vendosur Shameti me Allën. Në mesfushë do të pozicionohen Hasani, Musolli dhe Dvornekoviç, ndërsa para tyre është braziliani Karioka. Në sulm luhet me Pejiç dhe Eminin, një skemë sulmuese që pritet ta bëjë edhe me të bukur finalen e cila për ironi të fatit do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në shtëpinë e një tjetër rivali, Tiranës.
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb