Beteja mes UEFA-s dhe klubeve renegate, Real Madrid, Barcelona, Juventus… vijon edhe në distancë. Një ditë pasi CEO i Super Ligës, Bernd Raishard, deklaronte se starti i këtij kompeticioni të ri mund jetë në sezonin 2024-2025, ka ardhur dhe reagimi i ashpër i UEFA-s.

Që nga Argjentina ku ndodhet për një vizitë pune, presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, ka përsëritur qëndrimin e tij kundër krijimit të një kompeticioni të ri jashtë juridiksionit të UEFA-s.

“Super Liga nuk është futboll” kanë konfirmuar burime të UEFA-s të enjten pas një takimi që shefi i saj, Ceferin, ka pasur me numrin një të federatës argjentinase të futbollit, Klaudio Tapia.

“Jemi këtu në Argjentinë për të folur për futbollin, e jo për Super Ligën, ajo nuk është futboll”, thuhet më tej. Beteja mes UEFA-s dhe projektit të ri të Super Ligës Europiane për momentin është në dyert e Gjykatës së të Drejtës Europiane në Luksemburg.

Pritet që një vendim përfundimtar të jepet deri në mbylljen e këtij viti ose muajt e parë të 2023-shit. Reali i Madridit, Juventusi dhe Barcelona janë tri klubet që ende mbajnë në këmbë projektin e krijimit të kompeticionit të ri, Super Liga Europiane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb