Tirana shkonte në Korçë për të gjetur konfirmim pas oshilacioneve të ndeshjeve të fundit, oshilacione që në kampin bardheblu shpresonin t’i ndreqnin me largimin e Ardian Memës, por veç ndeshjes së parë të fituar në Gjirokastër, edhe Ahmataj ka ruajtur trendin negativ, për të mos thënë që ka bërë më keq në 4 përballjet e para.

Nga ana tjetër Skënderbeu i Ilir Dajës, që pavarësisht problemeve të shumta, ka ruajtur ende pak nga coha e kampionit të dikurshëm dhe triumfon 2-1 në nëj përballje ku me plot gojën e merituan suksesin.

Golin e parë të ndeshjes Skënderbeu e shënon në minutën e 18-të. Nazmi Gripshi bën një zbritje fantastike në krahun e majtë të sulmit dhe depërton në zonë duke shërbyer në qendër për Krasniqin, i cili mes katër uniformave bardheblu, shënon golin e epërsisë për korçarët.
Tirana kërkon kundër reagimin, por rastet më të mira për shënim i ka sërish Skënderbeu, që gjen hapësira me bollëk në prapavijën e kryeqytetasve.

Megjithatë goli i sigurisë do të vijë vetëm në minutën e 87-të, kur Ndeki do finalizojë saktë asistin e Oto Xhon. Gjuajtja e Ndeki gjen traversën dhe më pas përplaset pas vijës fatale dhe shkon në duart e Likës, por sheh gjithçka mirë vijërojtësi. Gol për Skënderbeun, që e bën të pavlefshme rrjetën e Hasanit në kohën shtesë, që devijon në rrjetë pas pasimit të Ngosë.

Mbyllet 2-1, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 20 pikëve dhe kap Bylisin në vendin e tretë, duke lënë pas shpine Tiranën me 19 pikë

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb