Skënderbeu “bastis” Vlorën dhe kthehet në Korçë me tre pikë pas fitores 2-0 ndaj Flamurtarit. Golat e Krasniqit dhe Oto Xhonit vulosën suksesin bardhekuq, që tashmë merr i vetëm kreun e renditjes. Ndërkohë mjaft interesante përballja mes Ilir Dajës dhe Orges Shehit, me nxënësin që arrin të mposhtë mësuesin e tij

Ishte dueli i parë për kreun. Skënderbeu kampion që udhëtonte në Vlorë, aty ku i priste Flamurtari, ose ekipi që është cilësuar më shumë si rivali kryesor i korçarëve. Por brenda kësaj sfide kishte edhe një përballje tjetër interesante, ajo mes Ilir Dajës dhe Orges Shehit, mësuesi që vihej përballë nxënësit me të cilin pak muaj më parë kishte ngritur trofeun e fundit të kampionit.

Sfida nis e fortë, por kryesisht luhet në mesfushë, ndonëse ngacmimet në portat respektive nuk do të mungojnë. Në fund të pjesës së parë (minuta 40), Gripshi në zonë do të pretendojë penallti pas kontaktit me Siljanovskin, por Andi Koçi do t’i japë durrsakut kartonin e verdhë për simulim.

Pjesa e dytë do të jetë më agresive, ndërsa edhe tifozët do të bëjnë të tyren duke detyruar Andi Koçin ta ndërpresë takimin (minuta 60), ndërsa Skënderbeu do të godasë në mefshtësinë e vetme të mbrojtjes vlonjate, atëherë kur në minutën e 73-të topi i harkuar nga Radas mbërrin te Krasniqi që godet saktë duke çelur rezultatin.

Flamurtari do të përpiqet të barazojë (minuta 82), por nuk ka forcën e duhur, ndërsa nga ana tjetër gabimi i Veliut i jep mundësinë e kundërsulmit Skënderbeut në minutën e 86-të, kundërsulm që finalizohet me gol në nga Oto Xhon, i cili mposht Koliçin në shtyllën e tij.

2-0 për kampionët, dhe stadium “Flamurtari” nis të zbrazet me shpejtësi nga tifozët, që duket se po shohin fantazmat e sezoneve të fundit, ku pavarësisht bujës në merkato, skuadra është shfryrë me kalimin e javëve.

Krejt ndryshe situata për Skënderbeun, që merr kreun i vetëm dhe në javën e 4-ët e sheh veten sërish aty ku e mbylli sezonin e shkuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb