GJIROKASTËR- Sektori Kundër Narkotikëve në Policinë e Gjirokastrës dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar sot një super operacion antidroge të koduar “Llufa” duke sekuestruar 3.2 tonë lëndë e bimë narkotike Canabis Sativa.

Sipas policisë aksioni është zhvilluar në malin e Kurveleshit.

Policia sqaron se 1 ton lëndë narkotike shumica në formë boçe në proces tharje është gjetur në një stan dhe tendë në vendin e quajtur “Llufe” në malin e Kurveleshit. Pjesa tjetër e drogës është gjetur e prerë dhe e pa prerë, e kultivuar në katër parcela, në total 2.2 ton bimë narkotike canabis sativa.

Lënda narkotike e thatë, ajo në proçes tharje dhe ajo e kultivuar, pas kryerjes së veprimeve me grup hetimor u asgjësua në vend me anë të djegies. Një pjesë nga secila u mor në cilësinë e provës materiale.

Poseduesit e drogës kanë mundur të largohen në mal por janë të identifikuar nga policia, e cila sqaron se bëhet fjalë për 4 te rinj nga qarku Gjirokastër. Po vijon puna për kapjen e tyre.

Ndërkohë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër shkuan Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtori i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda, Ardian Çipa, të cilët po zhvillojnë takim me krerët e Drejtorisë se Policisë së Qarkut Gjirokastër.
(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb