Nga: VJOLLCA KONGJONI*TIRANE-Rruga interurbane Tiranë –Durrës do t’i nënshtrohet sërish punimeve. Vetëm pak kohë pas rehabilitimit të këtij aksi rrugor ku përvec zgjerimit u mbollën palma dhe u vendosën gjysma sferash në tokë me ngjyra të ndryshme, në një periudhë aftagjatë do të zgjerohet sërish. Aktualisht ka nisur një project studim për zhvillimin e superstradës, ku të drejtën për të zhvilluar e ka fituar kompania italiane “SPEA INGEGNERIA EUROPEA S.P.A”. project të cilin firma e ka publikuar edhe në faqen zyrtare të saj on line.

I kontaktuar me telefon drejtori i ARRSH Dashamir Xhika pohon se një studim i tillë synon zhvillimin e superstradës në një periudhë afatgjatë. Sipas tij aktualisht rruga nuk e përballon fluksin e lartë të automjeteve që qarkullojnë në të ndaj edhe është parë e nevojshme zgjerimi i saj.

Shtimi i korsive në rrugën Tiranë-Durrës shihet si domosdoshmëri urgjente nga specialistët e sigurisë rrugore. Në një intervistë për News 24 eksperti Fatmir Hasho shprehet se me punimet e kryera në këtë aks janë shkelur një sërë rregullash të Kodit Rrugor të cilat kanë ulur sigurinë rrugore sic janë palmat, vendosja e gjysmë sferave në tokë dhe kufizimi i shpejtësisë në 60 km në orë.

“Vendosja e një peme në kufijtë e një karrexhate është e ndaluar. Vendosja e kupolave sferike dhe me ngjyra të ndryshme e kanë ulur shumë sigurinë rrugore. Sepse konsceptoni një mjet qw del nga kufijtë e karrexhatës dhe gomat takojnë me këto sfera, shoferi hummbet menjëherë kontrollin e drejtimit të automjetit. Goma e parë e krahut të djathtë tw automjetit devijon majtas dhe imagjinojeni se cmund të ndodhë në një aksident të tillë,”u shpreh Hasho.

Ekspertët e shohin të pamotivuar edhe uljen e shpejtësisë në 60 km në orë në këtë aks kryesor kombëtar, normë e cila sjell mjaft problematika. Madje sipas Hashos është bërë e qëllimshme duke shtuar ndëshkimet për drejtuesit e automjeteve.

“Rrugët në korsi interurbane janë me shpejtësi të lejuar deri në 90 km në orë. Nuk ka arsye për të qenë me 60 km në orw. Por më e keqja është se në periudhën e tanishme ky kufi është abuziv pasi në rrugë me përmasa të sakta nuk mund të lëvizësh me shpejtësi 60 km. Ku është qëllimi? Për të ndëshkuar qytetarët shqiptarë? Cmund të ndodh aty me fluksin e automjeteve në sezonin e pikut ku mund të iket me 60 km në orë ? Shumë persona janë gjobitur në këtë aks rrugor pasi kanë shkelur shpejtësinë.”- theksoi Hasho.

Por përvec zhurmës së krijuar mbi shkeljet ose jo të Kodit Rrugor nga punimet në këtë aks, problematika janë hasur edhe në zhvillimin e tenderit dhe të drejtën e fituar nga kompania italiane. Grupi i operatorëve pjesëmarrës në garë për projektimin dhe studimin e rrugës ka shfaqur dyshime për shkelje procedurash të tenderit. Megjithatw pas shqyrtimit të ankesës së bërë Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur më datën 8 maj refuzimin e saj duke u lënë kështu rrugë të lirë italianëve për këtë project i cili do të zgjasë 13 muaj dhe ka një vlerë limit prej 1,7 milionë eurosh.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar pas projekt- studimit nga firma italiane , nëse do të gjenden fondet e nevojshme, do të nisin menjëherë punimet për zgjerimin e rrugës gjë që do të prek edhe zhvendosjen e palmave dhe prishjen e punimeve të deritanishme. Por për ARRSH shkulja dhe spostimi i pemëve nuk përbën ndonjë problem. E nëse spostimi i palmave nuk shihet si problem, ajo që mbetet për t’u analizuar është shpërdorimi i fondeve publike, ku vetëm për mbjelljen e tyre janë shpenzuar rreth 600 mijë euro.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: