NGA FATMIRA NIKOLLI*

Një rrëfim për udhëtimin e Ateliesë së Edukimit Artistik pranë Galerisë Kombëtare të Arteve dhe rëndësinë e saj. Suzana Varvarica Kuka, flet për programin dhe rëndësinë e kësaj atelieje, e cila ka për qëllim të formojë publikun e së nesërmes, duke i dhënë atij të gjitha idetë më përparimtare dhe më cilësore që burojnë nga veprat e artit. Atelieja u inaugurua dje në GKA.
– Në GKA ka funksionuar Atelieja e Edukimit Artistik. Si rivjen kjo në kohën e tashme?
Atelieja e Edukimit Artistik është një aktivitet që rivjen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Gjithmonë, riardhja e një aktiviteti të ekzistuar më parë dhe konkretisht që nga viti 1999, jo vetëm që ka rëndësi të pamatë, por tregon se është një aktivitet tejet i domosdoshëm, si për kulturën edukuese shqiptare, për brezat që vijnë e rriten, ashtu edhe për promovimin e artit pamor në GKA. Atelieja ka funksionuar deri në vitin 2005 dhe programet e saj ndiqeshin nga nxënës të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe të rretheve të tjera të Shqipërisë.

Në atelie merrnin pjesë fëmijë të moshave nga 5 deri në të rritur 23 vjeç, që do të thotë, nga fëmijët e kopshteve, të shoqëruar me prindër dhe mësues, e deri në studentë të fakulteteve të ndryshme, të shoqëruar nga profesorët e lëndëve të artit dhe atyre sociale. Deri asokohe në atelie punonin katër lektorë dhe GKA gumëzhinte nga idetë dhe krijimet. Kjo i kishte siguruar GKA-së publikun e saj të ardhshëm. Atelieja ka pasur mjedisin e saj në katin e dytë. Më pas çdo zë u shua dhe vizione të tjera u zbatuan në GKA.

Sot kemi riardhjen e ateliesë, së cilës i është përgatitur një mjedis shumë i bukur dhe funksional në katin e parë me ndihmën financiare të Fondacionit FAVA. Por funksionimi i saj duhet të mbështetet fuqimisht me fonde financiare, materiale për të nxitur krijimtarinë dhe imagjinatën e pjesëmarrësve dhe kryesisht me lektorë profesionistë, të cilët nuk janë mjaftueshëm, por që do të drejtojnë temat e programit të edukimit dhe do të sigurojnë vazhdimësinë e saj.
– Cili është qëllimi a misioni i ateliesë?
Qëllimi i Ateliesë së Edukimit Artistik është shumëplanësh. Së pari, ky organizëm artistik në brendësi të një institucioni kulturor, dhe kur e përmend këtë do të thotë që jo vetëm në GKA, por në të gjitha institucionet kulturore, duhet të trupëzojnë sisteme të tilla. Së dyti, sistemet edukuese, siç atelieja është, ka për qëllim të formojë publikun e së nesërmes, duke i dhënë atij të gjitha idetë më përparimtare dhe më cilësore që burojnë nga veprat e artit. Qëllimi sublim është që njeriu i moshave të ndryshme të njohë, të thithë dhe të bëjë të tijën shijen rreth artit dhe t’i japë artit vlerësimin e merituar. Një publik i mirinformuar dhe i miredukuar në mjedise muzeore, është gjithmonë më i gatshëm t’i kuptojë situatat jetësore në të cilat ndodhet sesa një njeri i cili rritet në mjedise boshe apo pa informacione të tilla. Një individ në rritje dhe në njohje është gjithmonë më tërheqës me dijet e tij në shoqëri sesa një individ me njohje segmentare, pasi kam idenë se idetë dhe figurat që transmeton një vepër e artit pamor janë ide plus dhe pasurojnë dijet gjithëpërfshirëse të një individi.
– Fëmijët janë shumë aktivë. Sa e rëndësishme është pjesëmarrja e tyre në atelie dhe a mendohet të ketë dhe grupmosha më të rritura?
Po, është e vërtetë, fëmijët e sotëm janë të komunikueshëm, por kjo ndodh me ata fëmijë që i mësojmë në mjedise të socializuara. Dhe atelieja është një prej tyre. Dhe jo! Aspak vetëm fëmijët! Mendoj se fëmijët janë të një rëndësie të parë. Prindi i tyre është i një rëndësi maksimale, pasi është ai që do t’i orientojë e do t’i drejtojë fëmijët e tij te programet e edukimit artistik në GKA. Kjo do të thotë se familja është segmenti më i rëndësishëm i edukimit në këto programe. Kuptomëni: nëse një fëmijë vjen vetëm në atelie, diskuton me lektorët dhe krijon figura nën drejtimin e tij, është mjaft mirë. Por nëse një fëmijë vjen i shoqëruar me prindin, lektori dhe programet e edukimit e bëjnë prindin pjesëmarrës në programe të tilla, si dhe madje i kombinon prind e fëmijë të jenë të pranishëm dhe pjesëmarrës, njëkohësisht. E kjo është një mrekulli, pasi fëmija vazhdon dhe bisedon me prindin edhe jashtë orës së edukimit, e ritregon situatën edhe me shokët e tij, si dhe hyn drejt krijimit të situatave të reja artistike.
– Ku është mbështetur programi juaj i edukimit dhe si do të funksionojë?
Programi është shumë i pasur dhe ndiqet e zbatohet nga lektorët e pakët të GKA-së, të cilët propozoj të jenë më të shumtë. Ne, dikur në vitin 1999, Gëzim Qendro, Eleni Laperi dhe Suzana Varvarica Kuka, u njohëm duke naviguar në kompjutera dhe gjetëm këto programe që nga viti 1999. Dhe më pas morëm një përvojë drejtpërdrejt në MoMA, Nju-Jork. Të tre bashkë sollëm programet dhe i implementuam në GKA deri në vitin 2005. Sot situata përsëritet, pasi tregon që atelieja është domosdoshmëri edukuese dhe informative mbi artin. Programi është i pasur, është i detajuar. Kam bërë kujdes, që programi të jetë i shtrirë në kohë, në tema, në subjekte dhe në propozime kreative, të cilat do t’i ekzekutojnë fëmijë apo grupmosha të ndryshme, që do të marrin pjesë në këto programe. Atëherë do të thotë se mjediset ndërkombëtare të muzeve janë të pasura me programe të tilla.
– Atelieja e GKA-së, a do të vlerësohet si ato jashtë vendit?
Në të gjithë muzetë e botës këto programe funksionojnë dhe janë departamente të veçanta, ku punojnë grupe të ndryshme lektorësh, që ndahet sipas periudhave historike dhe sipas temave që nxirren prej këtyre periudhave. Kjo është arsyeja që ju bëra një historik të ateliesë. Kjo është dhe arsyeja pse kjo atelie është shumë e rëndësishme për çdo kohë të funksionimit të një muzeu, sepse muzeu nuk funksionon nëse nuk ka publik të vazhdueshëm. Dhe përvojat ndërkombëtare kanë zbuluar me kohë, se edukimi me artin përmes ideve që transmetojnë lektorët, kuratorët, historianët dhe artistët, brenda territorit të muzeve dhe galerive, është i domosdoshëm, është ardhmëri kulturore apo aset kombëtar i çdo vendi.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: