Në mënyrë të pabesueshme fati i keq ndjek ekipin përfaqësues, pasi në momentin e tyre më të mirë, Sylvinho sheh t’i dëmtohet dy anësorët e tij titullar, Hysaj dhe Mario Mitaj. Ajo që stafi mjekësor i Lazio-s i druhej më shumë është bërë konkret, pasi rezonanca magnetike vërtetoi se Hysaj ka pësuar një dëmtim të shkallës së mesme në bicepsin femoral të kofshës së majtë. Hysaj u pa duke çaluar teksa po dilte nga klinika mjekësore e Lazios. Sipas mediave italiane, një dëmtim i tillë pritet ta mbajë larg fushës së lojës për të paktën 40 ditë.
Jo vetëm Hysaj, një dëmtim të rëndë ka pësuar edhe anësori i majtë, Mario Mitaj. Klubi i Al Itihad, me anë të një reagimi për mediat ka zbuluar se futbollisti shqiptar ka pësuar një dëmtim në muskujt e poshtëm abdominal: “Kthimi i plotë në stërvitje do të jetë në varësi të procesit të riaftësimit”, lexohet ndër të tjera në buletin mjekësor të klubit saudit.
Ky është një dëmtim specifik, jo i lehtë, pasi muskujt e barkut janë shqetësues për futbollistët. Stafi mjekësor i Al Itihad nuk kërkon të nxitohet me Mitajn, pasi nuk dëshirojnë që një dëmtim i tillë ti rikthehet sërish. Mitaj parashikohet të qëndrojë jashtë fushës së lojës për një kohë të gjatë.
(BalkanWeb)