Kreu i nismës “Thurje”, Endrit Shabani i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me pjesëmarrjen e organizatës që ai përfaqëson në zgjedhje dhe ndryshimet që do të sillte ky organizim.

Shabani deklaroi se Shqipëria sot është “peshqesh” i klasës politike të 32 viteve të fundit, ndërsa shtoi se për këtë arsye të gjithë e shohin të ardhmen jashtë vendit.

Sipas tij nisma “Thurje” synon që në zgjedhjet e radhës të arrijë një shifër prej rreth 50 mijë votash, teksa tregoi se kjo organizatë ka qëndruar konsistente në qëndrimet e veta për kauza të ndryshme dhe ka organizuar protesta e ka shtyrë projektligje.

“Ja përse janë izoluar nga shoqëria këta politikanë, nuk i flasin shoqërisë por njëri-tjetrit. Nuk e përfaqësojnë më këtë brez. Rama ka ardhur në vitin 1998 në pushtet dhe si projekton të ardhmen. Është urgjente t’i largojmë. Shqipërinë sot e kemi peshqesh nga Berisha, Rama e Meta. Jemi si një anije që ka ngelur në breg. Edhe sot 32 vite më vonë fëmijët e atyre që u larguan nga vendi sërish e shohin të ardhmen jashtë vendit. Prandaj është nisma Thurje. Kemi nisur si aktivistë të shoqërisë civile. Në ato kohë protestonim kundër Berishës kundër plehrave, erdhi më pas Rama dhe bëri të njëjtën gjë. Këta kanë ndryshuar pozicionet e tyre, ne kemi qenë këtu. Kemi mbrojtur pozicionin tonë duke kryer profesionet tona. E kemi parë veten në shesh, teksa vendi degradon dhe asgjë nuk ndryshon.

Jemi optimistë që në këto zgjedhje të pesëfishojmë votat tona nga hera e kaluar. Të gjitha sinjalet janë që do e arrijmë shifrën prej 50 mijë votash. Ndryshe nga partitë e mëdha që kanë deputetë ligji nuk i detyron të bëjë asgjë. Në rastin tonë ne na duhen 3000 firma në çdo bashki. Për ne është raundi i parë për të komunikuar me qytetarët. Synimi ynë është në zonat urbane, për shkak se në këto zona kemi pasur mbështetjen më të madhe. Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë. Beteja kryesore do jetë në Tiranë. Interesat e popullit janë përqendruar këtu. E kemi parë këtë betejë si një hap të madh ë një rrugë të gjatë ku kërkojmë t’i japim fund tranzicionit 32-vjeçar. Të rinjtë janë marrë peng nga 3 njerëz që nuk ngopen me pushtet e para dhe janë në pikën ku ngjasojnë shumë me njëri-tjetrin.

Ne jemi ndryshe nga partitë e mëdha. Kemi njerëz të zakonshëm e të shkolluar të qytetit në përbërje. Këta i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre për kauza të ndryshme, ne kemi qenë konsistentë. Ne kemi rezistuar, ndryshe nga të tjerë që kanë provuar e dështuar më pas. Qytetarët mund të shohin se çfarë ka bërë nisma Thurje në faqen tonë. Kemi organizuar 35 protesta, kemi çuar para një projektligj për plazhet publike, kemi mbledhur 10 mijë firma. Protestuam për rritjen e çmimeve.

Ne nuk e kemi luksin e Berishës apo Ramës që të jetë live kur flet, ne kemi hapësirë të kufizuar. Prandaj nuk kalon me shumë vëmendje ajo që bëjmë. Kur vijnë zgjedhjet ka më shumë vëmendje, kjo nuk do të thotë që nuk përpiqemi përditë. Ne jemi ndryshe dhe në ide. Nuk tha Berisha asnjë propozim. Dje u përplas një urban, kanë ndonjë propozim këta. Ne e kemi. Do garantojmë që Tirana do ketë transport publik të unifikuar. 36 orë thotë OBSH humbasim në trafik çdo muaj. Kjo ndodh sepse linjat janë dhënë me koncesione. Interesi është i tillë që pengon zhvillimin e transportit. Megjithëse infrastruktura është qytetarët mundohen për të fituar koncesionarët. I gjithë qyteti humb kohë që të bëjnë para 5 vetë. Hiqen këto koncesione dhe e kthen transportin për qëllim shërbimi jo fitimi. E bën qytetin policentrik dhe zgjidh problemin që linjat shkojnë të gjitha në qendër, ku me 1 biletë qytetari mund të përdorë linjat. Studentët rreshtohen për të marrë abonetë falas me kartë, kur mundet thjesht të tregojnë kartën. Qëllimi është që sa më shumë njerëz të paguajnë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb