Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët po bën përpara të premten për votimin e një projektligji tjetër masiv që synon t’u japë rreth 1 trilion dollarë qeverive shtetërore e lokale, një pagesë për herë të dytë prej 1.200 dollarësh amerikanëve si dhe që do të zgjaste afatin e një pagese shtesë javore prej 600 dollarësh, që qeveria federal u jep atyre që përfitojnë pagesën e papunësisë.

Katër paketat e para si masa leftësuese ndaj situatës së krijuar nga koronavirusi ishin masa dypalëshe dhe u kaluan me vota gjithëpërfshirëse, por projekligji i së premtes, që llogaritet në vlerën e 3 trilionë dollarëve e që e tejkalon shumë e paketave pararendëse, pritet të kalojë sipas një votimi kryesisht në linja partiake.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësueve Nancy Pelosi ka bërë gati për votim paketën që përfshijnë ndër të tjera fonde për të mbuluar pagesën e qirasë si dhe fatura të tjera, atë që quhet “pagesa e rrezikut” për punonjësit thelbësorë dhe grante për qeveri lokale.

Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar se do t’i vendosë veton ligjit, gjithashtu udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell, duke e kritikuar ashpër masën e quajti atë “një përpjekje krejtësisht jo serioze”. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se legjislacioni i publikuar nga zonja Pelosi paraqet “më shumë shqetësim në shpërndarjen e atyre” që i cilësoi si “lista dëshirash me qasje partiake e ideologjike, sesa të rrisë aftësisë së kombit për t’u përballur me probleme të shëndetit publik dhe sfidat ekonomike me të cilat po përballet”.

Pak republikanë pritet ta votojnë projektligjin nesër, pavarësisht se ai parashikon, ndihma për shërbimin postar, shkollat, një cek tjetër prej 1.200 dollarësh për shumicën e amerikanëve dhe 175 miliardë dollarë për të ndihmuar pronarët e shtëpive dhe qiramarrësit.

Legjislacioni vjen ndërsa vendi vazhdon të luftojë me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, i cili ka shkaktuar vdekjen e rreth 86 mijë amerikanëve ndërkohë që të paktën 36 milionë njerëz kanë humbur punën. Vetëm të enjten, qeveria raportoi se rreth 3 milionë amerikanë kanë aplikuar javën e kaluar për pagesën e papunësisë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb