Nëse ndodh që fëmija juaj mbyll njërin sy në mënyrë instiktive për të parë më mirë me syrin tjetër, ky është një sinjal i fortë për të vajtur urgjentisht tek okulisti. Rubin Topi, mjek okulist ne poliklinikën e specialiteteve nr 1 në kryeqytet tregon se shenja e mbylljes pjesërisht të njërit sy ose më rrallë edhe të dy syve nga fëmija në moshë parashkollore ngre dyshime të forta se vuan nga sëmundja e amblyopisë që në gjuhën popullore njihet si syri dembel.

Nëse kapet që në moshën parashkollore Amblyopia e syrit është e kurueshme përmes teknikave okulistike.
Por mjeku thotë se sëmundja në fjalë është tepër serioze dhe duhet trajtuar para se fëmija të mbush 7 maksimumi 9 vjeç pasi syri dembel do të mbetet i tillë përjetë dhe nuk mund të rikuperohet më. Dr Topi shpjegon se arsyeja e dëmtimit të parikthyeshëm të syrit nuk është në vetvete organi I shikimit por fijet nervore që çojnë sinjalet në tru.

“Sëmundja e amblyopisë është tepër serioze. Nëse s’kapet në kohë syri mbetet dembel. Por nëse trajtohet kur duhet, syri mund të trajtohet dhe ta korrigjojë në kohë gabimin”, tha okulisti.

Për të zbuluar në kohë sëmundjen e syrit dembel çdo fëmije që hyn në klasë të parë i kërkohet certifikata e mjekut okulist procedurë që shkakton rrallë tepër të gjata në poliklinika dhe tensione mes mjekëve dhe familjarëve që dynden në dy javët e fundit për të marrë dokumentin pa të cilin fëmija nuk mund të regjistrohet në shkollë.


Këtë vit radhët në poliklinika për tek okulisti pritet të nisin që në muajin gusht pasi ministria e arsimit ka lajmëruar fillimin e vitit shkollor dy javë më herët.
Dr Rubin Topi mendon se ka një zgjidhje për të evituar radhët dhe sorrollatjet duke e shtrirë kohën e vizitës tek okulisti nga shtatori deri në fund të vitit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb