NGA ANILA JOLE*
Aleksis Cipras mori mandatin për krijimin e qeverisë greke nga presidenti i Republikës dhe u betua para tij. Kreu i radikalëve të majtë është i pari kryeministër në Greqi, që si ateist, nuk bën një betim fetar, por një betim politik. Megjithatë për gjithë votusit grekë, që e shohin me skepticizëm ateizmin e Cipras, ky i fundit takoi më herët kryepeshkopin e Greqisë Jeronimos, të cilin e siguroi se marrëdhëniet shtet-Kishë do të përmirësohen dhe do të jenë më efektive se më parë, por nuk bëri një betim fetar. Pas betimit politik te presidenti (i pari kryeministër që thyen traditën), Cipras do të fillojë menjëherë me krijimin e qeverisë, për të cilën siguroi edhe mbështetjen e partisë Grekët e pavarur të Panos Kamenos. 149 vende që fitoi SYRIZA dhe 13 të Grekëve të pavarur, do të krijojnë një qeveri me 162 vende.

Ndërkohë nesër pasdite, ose të mërkurën në mëngjes pritet betimi i qeverisë së re. ‘Triumf i vertete’, ‘fitore historike’, dhe një ‘termet i vërtetë politik’, cilësohet fitorja e radikaleve të majtë të SYRIZA-s në zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan dje në Greqi. Që kur u publikuan rezultatet e exit polleve, dhe gjatë numërimit të votave, SYRIZA rezultoi fituese me një diferencë të qartë nga Demokracia e re me 76 vende ne Parlament. Pas tyre renditen Agimi i Artë dhe partia Lumi me 17 vende, Komunistet me 15 vende, PASOK dhe Grekët e pavarur me 13 vende, ndërsa partia e re e Papandreut nuk e kaloi dot pragun për hyrjen në Parlament.

Dje kreu i Demokracisë së re, kryeministri Samaras i telefonoi Aleksis Cipras për t’i uruar fitoren duke theksuar se kjo është kultura politike. Me këtë telefonatë Samaras pranoi faktikisht humbjen e tij politike. Nga ana e tij edhe kreu i PASOK Evangelos Venizelos në një deklaratë për median i uroi SYRIZA-s suksese në të mirë të Greqisë, duke shtuar se fituesi ka një përgjegjësi të madhe. Venizelos akuzoi Papandreun për përcarjen e PASOK-ut, gjë që sipas tij, ndihmoi renditjen e Agimit të Artë në vendin e tretë. Me këto votime, vendi i zhytur në borxhe dhe në krizën më të rëndë në Evropë zgjodhi rrugën e premtuar drejt rimëkëmbjes ekonomike, pa masa të rrepta shtrënguese. Vetë Aleksis Cipras ka deklaruar se një ditë pas zgjedhjeve vendi nuk do të ketë më Trojkë dhe Memorandum, por kjo mbetet për t’u parë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: