Një prej shtatë azilkërkuesve që pak ditë më parë do të dërgohej në Ruanda me një avion charter nga Britania e Madhe, të cilit iu anulua nisja në minutën e fundit pas vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, ka dhënë një intervistë për mediat.

Azilkërkuesi irakian zbuloi se ai “nuk do të kishte ardhur kurrë në Mbretërinë e Bashkuar” nëse do ta dinte se mund të deportohej në Afrikën Lindore.

I njohur vetëm si KN, emigranti shpreson se ai tani do të qëndrojë në Britani pas ndalimit të fluturimit. Ai ishte një nga shtatë burrat, ku përfshiheshin 4 irakianë, një iranian, një vietnamez dhe një shqiptar, të cilët do të deportoheshin të martën

“Kam të drejtën të kem një jetë më të mirë. Kjo nuk është e drejtë”, tha ai.

Duke folur përmes një përkthyesi, ai e përshkroi qendrën e tij të paraburgimit pranë Londrës “si një burg” dhe zbuloi se ai ishte në mesin e mijëra emigrantëve që erdhën në Britani me gomone vitet e fundit. Por ai tha se nuk kishte ‘absolutisht asnjë ide’ se kushdo që hynte ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar mund të përballej me deportimin në Ruandë sipas projektligjit të Priti Patel.

Ai i tha BBC Radio 4 World Tonight: “Nëse do të kisha ditur për të gjithë këtë plan, nuk do të kisha vendosur kurrë të vija. Unë u thashë atyre se kjo nuk është e drejtë, unë po vija në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk dua të shkoj në Ruanda. Ishte një ndjenjë e tmerrshme. I thashë forcave të sigurisë se jam këtu për të ndjekur të drejtat e mia. Gjëja është se gjatë gjashtë muajve të fundit, për shkak se isha i fshehur, isha plotësisht i shkëputur nga lajmet dhe bota e jashtme, kështu që nuk e kisha idenë se çfarë po ndodhte. Unë thjesht po përpiqesha dëshpërimisht të dilja për sigurinë time”.

Ai pretendon se ka ardhur në Britani pasi ishte një ushtar kurd Peshmerga që luftoi përkrah ushtarëve britanikë në Irak në vitin 2004.

Ai rrëfeu se i telefonoi fëmijët e tij në Irak dhe tha: “Ata po qanin, edhe unë po qaja”.

Sipas tij, në momentin që janë futur në avion azilkërkuesit janë keqtrajtuar jashtëzakonisht nga stafi.

“Mezi merrja frymë. Në një moment u rrëzova. Duart dhe gjunjët e mi ishin mpirë plotësisht. Nisa të qaja. Unë u thashë atyre se vetëm po qaj për të tjerët që ishin brenda aeroplanit dhe të destinuar për në Ruanda, sepse ata njerëz janë të pafuqishëm, janë të dëshpëruar njësoj si unë. Ata kanë familje për të mbështetur”, vijoi rrëfimin e tij azilkërkuesi irakian.

Ai shtoi: “Unë jam ende i tronditur, por ata po refuzojnë të më lënë të dal nga ky vend që po na mbajnë”.

Ndërkohë, Mohammed me origjinë kurdo-iraniane që mbahej në kampin Colbrook pranë Heathroë, pretendoi se rojet në bordin e avionit privat çarter për t’u nisur nga Ministria e Mbrojtjes Boscombe Doën festuan pasi dëgjuan se fluturimi ishte anuluar.

“Disa nga rojet e sigurisë dhe të tjerët ishin vërtet të lumtur. Ata na përqafonin. Ata po na uronin”, tha ai për The Independent.

“Ishte e qartë se ata thjesht po përpiqeshin t’i bindeshin urdhrave. Nuk ishte diçka me të cilën ata ishin të kënaqur. Ndihesha i lumtur dhe i lehtësuar. Unë gjithashtu isha ende i pasigurt për atë që mban e ardhmja. Ne nuk mund të ndanim ndjenjat tona me njëri-tjetrin. Secili prej nesh e ndjenim vetë. Me të vërtetë do të kisha dashur t’i përqafoja të tjerët, por nuk munda”, u shpreh ai më tej.

Emigrantë të tjerë thanë se ndjeheshin sikur po dërgoheshin për ekzekutim përpara ndërhyrjes së jashtëzakonshme të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: