TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se opozita do t’i shkojë deri në fund kërkesave të saj për komisionet hetimore, duke i kërkuar maxhorancës të lërë vallen e Osman Takës dhe t’i kalojë në seancën e radhës në Kuvend.

“PD po përdor gjithë arsenalin e vet. Fuqia që na dhanë shqiptarët u godit nga masakra zgjedhore dhe pamundësoi që planin tonë ta vinim në zbatim si qeveri dhe pa diskutim prioriteti ynë i parë është të largojmë këtë regjim që nuk është produkt i votës së lirë. Por ndërkohë i njëjti plan, të njëjtat zotime janë baza mbi të cilën ne kemi ngritur aksionin tonë politik. Të siguroj si në rastin e inceneratorëve, si në rastin Becchetti, si në rastin e komisionit hetimor për masakrën zgjedhore, në çdo rast tjetër ekspertët tanë po shqyrtojnë dhe grupi ynë parlamentar do të marrë vendimet për të gjithë hapat e nevojshëm, përfshirë situatën e energjisë. Duke përfshirë ato drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe duke përfshirë instrumentet që na mundësojnë për sa do funksionojë ligji dhe Kushtetuta, nxjerrjen në shesh të batërdisë dhe vjedhjet e kësaj qeverie”, tha Basha.

Kur do ta çojë PD si nismë ligjore uljen e TVSH për shportën në Kuvend?
Asgjë që ne kemi thënë nuk ka mbetur në retorikë. Për tre komisionet hetimore do të kalojnë në seancë më 14 tetor. Ka nisur vallja e Osman Takës, jo Osman Stafës. Vallja e Osman Takës që hedh PS-ja sa herë që kërkojmë komisione hetimore. E dini besoj historinë e valles së Osman Takës, një valle e gjatë dhe e ngadaltë e një heroi të asaj kohe që do të zgjasë momentin para se ta varin në konop. Është valle shumë e bukur në fakt, por nuk është vallja që duhet të hedhë Taulant Balla dhe padroni i tij. Kushtetuta e ka të qartë, kur ne kërkojmë komision hetimor, ata duhet ta ngrenë. Ta lënë vallen e Osman Takës dhe të enjten të tre komisionet duhet të kalojnë në Kuvend. Ka nisur procesi për depozitimin e kërkesës për uljen e TVSH-së në 6%. Ekipi ynë superior në çdo aspekt profesional, etik, të integritetit ka marrë përsipër të bëjë të gjithë propozimin, jo thjesht ule këtë se kështu duam ne, por dhe ku t’i gjejmë paratë. Sudja me mjekër sa herë i themi ne ço paratë tek qytetarët thotë s’ka para. Sa herë vjen puna për të mbushur xhepat e oligarkëve, për të bërë 20 mln euro kilometrin as flet fare, vendimin e merr natën.
Tani ka vënë tigrin dhe ata të tjerët që do bëjnë të njëjtën gjë. Me përgjegjshmëri të madhe para qytetarëve, jo për retorikë, ne jemi një ekip për të qeverisur vendin. Kemi gati çdo zgjidhje, nuk do i çojmë një copë letër, por një kalkulimi të plotë si arrihet. I kam dëgjuar zërat e opozitarëve të përjetshëm, një pjesë e tyre hanë bukë me këtë ustallëk dhe qoftë nga formimi ynë si të djathtë le të hanë bukë edhe pse shpërndajnë gënjeshtra. Në asnjë rast PD nuk ka çuar tek Edi Rama propozime që nuk do i bënte vetë. Edi Rama nuk do dhe nuk mundet. Llumi i tranzicionit, me atë e kam betejën unë personalisht dhe partia që udhëheq deri sa t’i çojmë aty ku e kanë vendin dhe t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve atë që meritojnë. Do dalin do thonë nuk bëhen dot, s’kemi kaq lekë, por detyra juaj është t’ju tregoni shqiptarëve që e vërteta është me ne.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb