Nga VALENTINA MADANI*

Demokratët e shohin Lulzim Bashën kryeministër dhe jo sërish në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës. Jorida Tabaku, deputetja e PD-së kërkon ta shohë me kohë të plotë në drejtimin e opozitës, jo më kryebashkiak, por potencial për kryeministër. Deputetja demokrate tha se ky debat është më shumë mediatik se sa brenda vetë strukturave të Partisë Demokratike. Ajo pohoi se aktualisht nuk ka asnjë vendim të partisë lidhur me këtë çështje. “Mua shpeshherë më vjen keq që media merret vetëm me opozitën.

Ka kaq shumë gjëra që nuk shkojnë me këtë qeverisje saqë çdo lloj analize mediatike, çdo lloj opinionisti të jetë i fokusuar se çfarë do të bëjë Basha, më duket pak e tepërt. Ky është vendimi i tij personal, por edhe unë si shumë kolegë të tjerë e shohim atë si kryeministër. Sigurisht që strukturat e partisë do marrin një vendim në lidhje me këtë gjë, sigurisht që nuk ka akoma asnjë vendim dhe i gjithë debati është më shumë mediatik se sa i brendshëm në PD. Këtë do t’ia lëmë kohës”, deklaroi deputetja e PD-së për “Ora News”.

Por kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha shmangu dje përgjigjen nëse do të rikandidojë për këtë post në zgjedhjet e 21 qershorit. Basha bëri të ditur se ky vendim do të bëhet publik në një konferencë të posaçme për shtyp, teksa i kërkoi kryeministrit Rama të heqë dorë nga projektet fasadë, duke e akuzuar si të papërgjegjshëm. Deklaratat u bënë gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e shkollës “Qemal Stafa”. “Shpresoj në mirëkuptimin tuaj që këtë konferencë për shtyp të mos e bëjmë në këtë gjimnaz që sapo kemi nisur ta rikonstruktojmë, por një herë tjetër”, – u shpreh Basha. Partia Demokratike, zyrtarisht është përfshirë në procesin e përgatitjes për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Kryetari Lulzim Basha ka firmosur urdhrin për ngritjen e grupeve të punës, bashkë me kriteret për kandidatët. Vetë ish-kryeministri Sali Berisha ka pohuar gjatë një interviste televizive se Lulzim Basha ndodhet para dy opsioneve, nëse duhet të rikandidojë sërish për kryetar bashkie apo do të bëhet kryeministër. Berisha u shpreh se vendimi përfundimtar i takon Bashës, nëse do të rikandidojë ose jo për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës. Nga ana e tij, Basha nuk e ka mohuar mundësinë e një rikandidimi, por në asnjë rast nuk ka folur në mënyrë të qartë nëse do të jetë ai apo dikush tjetër kandidat i PD-së për kreun e ri të Bashkisë së Tiranës. Gjithsesi, do të jenë forumet e larta të partisë ato që do të vendosin se kush do të jetë kandidati zyrtar i opozitës në zgjedhjet e ardhshme për Tiranën.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: