TIRANË

Deputetja e PD, njëkohësisht nënkryetarja e PD Jorida Tabaku deklaroi sot se financat publike janë në rrezik nga kontratat koncesionare dhe borxhi publik.

Ajo tha se situata që tregon raporti i KLSH për zbatimin e buxhetit është katastrofë! Sipas saj, shifrat janë një kambanë alarmi.

“Nuk ka shqiptar që ka kuptuar se çfarë ka ndodhur në sallën e parlamentit. Nuk besoj që ka shqiptar që ka kuptuar që janë marrë 770 milionë euro dhe çfarë do bëhet? Çfarë do ndodhë me fermerin, me mësuesin? Çfarë do ndodh me familjet shqiptare, çfarë do ndodhë me çmimin e energjisë elektrike? Po marrim 770 milionë euro borxh, a do jemi më mirë a më keq nesër? Nuk besoj që dikush nga qeveria arriti të japë përgjigje për këtë, por besoj është e qartë po të lexojmë e po të shohim se çfarë ka ndodhur në vitin 2020 e për ta bërë këtë më lejoni të them tre shifra. Në 8 vite dëmi ekonomik i shkaktuar nga qeveria Rama është 7.2 miliardë euro. Çdo vit 500 mln euro është kosto e korrupsionit. Ka arritur në kapje shteti thonë shumë organizata ndërkombëtare. E dini çfarë është kapje e shtetit? Kapje e shtetit është ai vendimi për TVSH-në. E ulën nivelin e TVSH-së tani pasi bizneset e vogla falimentuan, por ishte një periudhë kohe, ku të gjithë bizneset e vogla u përfshinë në skemën e TVSH-së. Ajo është kapje e shtetit. I detyruan që të dalin nga tregu që të gjithë konsumatorët të shkonin tek qendrat e mëdha tregtare. Jo propozimi i PD-së për TVSH-në, kapje shteti është vendimi që u mor për lojërat e fatit. Kapje shteti janë pothuajse 9 ligje që janë marrë po nga kjo qeveri, e thënë nga KLSH, e thënë dhe nga shumë raporte të tjera ndërkombëtare. Çfarë shohim po të lexojmë raportin e KLSH për buxhetin faktik. 4 fusha kryesore. Së pari, buxheti i shtetit thotë KLSH është kthyer në një fletore bakalli, 2327 rishikime i janë bërë buxhetit të shtetit dhe rialokime, 50 mld lekë nga fillimi i vitit deri në fund të vitit. Nuk ka asnjë pasqyrë të plotë se sa janë borxhet. Kush janë angazhimet, çfarë ndodh me kontratat koncesionare në fillim dhe në fund të vitit. Ka shumë projekte që çelen e mbyllen mes vitit, që jepen pak fonde duke krijuar presion edhe mbi investimet e tjera të ardhshme. 500 kontrata janë lidhur pas 15 tetorit në shkelje të ligjit. Nuk duhet buxheti i shtetit të zbatohet në dy muajt e fundit të vitit. 7 raste prokurimi që janë bërë kur këto nuk kishin fonde projektet, fonde disponibël. Pastaj po të lexosh perla të tjera si fonde të dedikuara për përballimin e COVID-it janë përdorur për pagesa për internetin, për energjinë, për dieta, për ruajtje objektesh. Këtë ka bërë qeveria”, deklaroi ajo.

Tabaku theksoi se borxhi i marrë për pandeminë dhe për tërmetin do ketë po këtë fat që kishte borxhi i marrë vitin e kaluar.
“Vetëm i referohem materialeve që vetë qeveria ka vendosur në faqen e saj të internetit. Kush janë 4 fushat që tregojnë dështimin? PPP-të, ka arritur kontrata e koncesioneve në 50% të PBB vitin tjetër. Ka bërë që analizë të detajuar që ministrja e Shëndetësisë duhet ta lexonte. Për të 4 kontratat koncesionare në sistemin shëndetësor gjenden shkelje shumë të rënda. Nuk janë bërë 2137 kontrolle Check up-i për të cilat është dhënë pagesa. Janë paguar dhe nuk janë kryer. Koncesioni i laboratorëve nga fillimi në fund është procedurë me shkelje, është korruptive. Vazhdon paguhet dhe sot. Duhet të ishin ngritur laboratorët, nuk janë ngritur. E njëjta gjë për setet e sterilizimit. Janë paguar fondet, ndërkohë që shërbimi nuk kryhet. E njëjta gjë me kontratat koncesionare, në Elbasan punon me 20% të kapacitetit, paguhen 99% të fondeve. Në Fier nuk është hapur, nuk ka filluar operimi. Janë paguar 99% të fondeve. Kjo është situata që tregon raporti i KLSH për zbatimin e buxhetit. Katastrofë! Nuk prisja asgjë tjetër në fakt, por për ata shqiptarë që kishin akoma shpresë. Sektori energjetik sot është në kolaps, borxhet e sektorit energjetik po i paguan Ministria e Financave. Ka dalë garant Ministria dhe është duke i paguar. Ka që në 2017 që sektori energjetik ka paaftësi paguese. Dhe kjo nuk lidhet fare as me rritjen e çmimeve jashtë, as me tregun ndërkombëtar. Kjo lidhet me paaftësinë dhe korrupsionin që ka kapur të tre operatorët në sistemin energjetik. Çfarë thotë KLSH për arbitrazhin? Arbitrazhi ku Shqipëria ka humbur tre gjyqe me vlerë 388 milionë euro? Agjencia Europiane ka njoftuar Republikën e Shqipërisë që ka filluar thotë KLSH, bllokimin e aseteve të Shqipërisë. Për këtë arsye ishte e nevojshme që të ngrihej Komisioni Hetimor për Beçhettin që ju e ndaluat, por që do jetë Gjykata Kushtetuese që do të marrë një vendim për të. Shifrat me thënë të drejtën janë një kambanë alarmi. Janë një kambanë alarmi për këto që firmosin, që përdoren një pjesë e madhe sigurish dhe si mburojë. Janë një kambanë alarmi për shqiptarët, për buxhetin e vitit aktual, por edhe atij të ardhshëm që nuk njohin asnjë limit, as pandeminë, as vdekjen, as sëmundjen që e përdorin çdo gjë për korrupsionin. Por janë një kambanë alarmi dhe për financat publike. Sot financat publike kanë rrezikun më të madh dhe rreziku që i kërcënohet janë kontratat koncesionare dhe borxhi publik”, deklaroi ajo.

Tabaku tha se ne duhet të marrim masa sot sa nuk është vonë. “Me thënë të drejtën duhet të ishin marrë vite më parë, por me këtë dokument të prodhuar nga KLSH, besoj që edhe ata kolegë socialistë që kanë një minimum arsyeje, që kuptojnë shifra dhe ata duhet të mos e miratojnë buxhetin faktik. Duhet që buxheti i vitit të ardhshëm të na shërbejë të gjithëve për ta ndryshuar. E vendosim gjithë eksperiencën tonë, ekspertizën tonë për ta ndryshuar. Se do të jetë një vit i vështirë, se familjet shqiptare do të vazhdojnë të varfërohen akoma dhe më shumë dhe gjasat janë akoma dhe më shumë se gjatë pandemisë.
Nuk ka asnjë pikë vullneti të mbetur për të marrë vendime për qytetarët. Jam e sigurt që do të vazhdojë po i njëjti diskutim nga kolegët socialistë. Këtu bëhet fjalë për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve. Nuk është puna për ata 10 koncesionarë që mbroni, ato 10 kontrata që jepni dhe për këta ministra që janë këtu. Unë isha shumë e çuditur dhe shumë kolegë socialistë ishin të çuditur për faktin që në zyrën e kryeministrit po krijohen agjenci të reja. Po ngrihet brenda kryeministrisë një strukturë e tërë që zëvendëson punën e ministrive, paralele dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave vijnë dhe thonë do përdorim fondin rezervë. Pa filluar viti do përdoret fondi rezervë për të paguar pagat. Këtu e 8 vite më parë ishte një diskutim i jashtëzakonshëm, përdorja e fondit rezervë për përmbytje, ndërkohë që sot me një lehtësi të jashtëzakonshme marrin fondin rezervë, edhe atë sa herë duan gjatë vitit e ndryshojnë, si buxhetin, si ligjet, si Kushtetutën, se në fund të ditës për çfarë janë, për t’u shkelur janë bërë. I bëj thirrje gjithë kolegëve në parlament, thirrini arsyes, mos e miratoni! Po i hapim rrugën një kolapsi të financave publike, mungesës së transparencës, shkeljes së buxhetit. Po i hapim rrugë prishjes të gjithë standardeve të transparencës që kanë ngritur financat publike. Po i hyjmë një trajektoreje shumë të rrezikshme që do jetë me pasoja të pakthyeshme për ekonominë shqiptare”, u shpreh Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb