Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar sot marrëveshjen e arritur mes palëve për Reformën Zgjedhore, ndërsa theksoi se ajo ishte një nga 15 kushtet e vendosura për integrimin në BE. E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, Tabaku tha se që nga koha kur vendi drejtohet nga PS-ja, Kodi Zgjedhor nuk ka pasur asnjë përmbushje të rekomandimeve të OSBE/OHDIR-it.

“Ajo nuk është një marrëveshje, por një dakordësi mes palëve për të bërë një element të nevojshëm të një prej 15 pikave të famshme, që vetëm shtohen me Edi Ramën. Ishte një nga 15 pikat që kishte në dorë PD-ja, se të tjerat janë në dorë të Ramës. Për herë të parë në 30 vite, nga zgjedhjet e 2013-ës, nuk ka pasur përmirësime në Kodin Zgjedhor. Çdo katër vite, çdo 8 vite, përmirësohej Kodi nga rekomandimet e OSBE/OHDIR-it. Për herë të parë nga 2013-a e deri më sot, asnjë nga rekomandimet e OSBE/OHDIR-it nuk ishte plotësuar, jo për fajin tonë, pasi nuk qeverisim ne. Zgjedhjet i organizojnë ata që qeverisin, ata e kanë për detyrë të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo marrëveshje e arritur çon, së pari, në plotësimin e një prej 15 kushteve dhe plotësimin e disa elementëve shumë larg asaj që duhet. Është hap i parë për të plotësuar disa elementë. Një reformë të plotë zgjedhore do të bëjmë kur të vijmë në qeverisje. Qeveria është duke bërë çdo gjë që është në dorën e saj, që mos të realizohet reforma zgjedhore. Janë të frikësuar nga opozita e bashkuar dhe koalicionet. Duan të bëjnë çdo gjë që të mos e realizojnë atë. Është një dokument që është firmosur nga ata. Në parlament, votuan ndryshimet në Kod, shtyrjen e gjendjes së emergjencës dhe do e gjejnë mënyrën”,- tha ajo.

Tabaku preku edhe çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar, duke shtuar se do ta vendosin qytetarët se kush pati faj, qeveria apo opozita për këtë rast.

“Ishte një shkresë bakalli, ku thuhej “projekt nuk kemi, por mund të kushtojë aty-aty rreth 30 milionë euro” dhe ishte fatkeqësi dhe teatri u prish. Se kush dështoi me teatrin, qeveria apo opozita, këtë do ua lëmë qytetarëve që ta vendosin. Nuk besoj se ka një mllef më të madh nga qytetarët, dhe pa parti, për mënyrën si u krijua gjendja me shembjen e teatrit, për shkelje të ligjit. Këta janë të pangopur, sa herë që shohin prona, këta nuk pyesin, por sillen si një bandë kriminale. Nuk besoj se kemi pasur qeveri si kjo në këto 30 vitet e fundit. Nuk di të them se kush humbi, qeveria apo opozita, me çështjen e teatrit. Nuk ka pasur një çështje që e ka bashkuar më shumë popullin shqiptar sesa teatri apo dhe ndërkombëtarët. Ishte korruptive dhe vazhdon të jetë korruptive. Angazhimi ynë është që të ndërtojmë teatrin siç ishte”,- theksoi demokratja.

Ndër të tjera, Tabaku u pyet nga gazetarja Nisida Tufa për ditëlindjen e PS-së dhe për faktin nëse kishte një urim për partinë rivale.

“Partia Socialiste ka pasur datën e ndërrimit të emrit. Ditëlindjen e ka pasur në datën 8 nëntor. Unë shpresoj shumë që të heqin nga vetja ato që i kanë marrë dhe i kanë grabitur me sektin e Rilindjes dhe të rikthehen si partitë e tjera. Do të jetë një opozitë e gjatë dhe e vështirë për PS-në mbas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por kundërshtari vlerësohet për atë që është”,- tha në mbyllje të intervistës së saj Tabaku.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: