Komisioni Hetimor i Incenetaroëve, ka thërritur si dëshmitarë në seancën e sotme, 3 administratorët e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Administratorja e Inceneratorit të Tiranës, e kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Ariola Kodra, iu përgjigj pyete të bëra nga deputetët. Ajo tregoi se si kryhet incenerimi, si përthithen investimet në godinë dhe ndotjen e shkaktuar nga djegia e mbeturinave.

Sakaq, në një moment, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha se zonja Kodra po injoron pyetjet e shtoi se nëpërmjet telefonit ajo merr indikacione për përgjigjen nga tre të shpallurit në kërkim, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Pjesë nga debati:

Spaho: Parashikon ligji i koncensioneve kryerjen e punimeve?

Kodra: Po, deklarata paraprake përfshin mirëmbajtje të zonës.

Spaho: Unë insistoj që ligji e lejon kryerjen e punimeve me deklaratë paraprake?

Kodra: Deklarata përfshin mirëmbajtjen e zonës, e thash edhe më sipër.

Spaho: Ligji e parashikon deklaratën paraprake?

Kodra: Po, e parashikon.

Spaho: Tarifa që ju merrni nga Bashkia e Tiranës, parashikon depozitim dhe djegie, apo vetëm depozitim?

Kodra: Tarifa prej 29 euro që merr shoqëria, përfshin të gjitha procedurat, që në momentin e parë që futen kamionët e mbetjeve deri në procesin përfundimtar. Që në momentin e hyrjes, regjistrimi, procedurat e raportimeve, selektimet e në fund është incenerimi. Do të jetë faza e fundit.

Spaho: Tarifa 29 euro për ton përfshin nga hyrja e kamionit te dera kryesore, deri te incenerimi apo jo?

Kodra: Po është një tërësi procedurash. Sapo ju thash…

Spaho: Nuk po luajmë. Kam të drejtën time si deputet i Kuvendit për këtë çështje, duhet të përgjigjeni qartë, s’ka nevojë për lojëra fjalësh. Është kryer incenerimi këtë periudhë?

Kodra: Është në fazë programore.

Spaho: E kam gabim nëse e kuptoj që ju e keni marrë tarifën e mbetjeve, por ndërkohë djegie nuk është kryer?

Kodra: Tarifa merret për të gjithë procesin.

Spaho: Ajo që kuptoj unë është që për periudhën 2017-2020 jeni paguar edhe për incenerimin, edhe pse incenerimi nuk kryhet.

Kodra: Kjo është një tarifë mesatare, për 30 vitet e kontratës.

Spaho: Kur është data e fillimit të punimeve?

Kodra: Data është menjëherë pas zbardhjes së lejes së ndërtimit. Janë kryer punimet ë tipit rehabilitim i zonës, gjelbërim, infrastrukturë e brendshme, pra punime që përfshihen në këtë deklaratë paraprake.

Spaho: Ju thoni që ka dokument për shpalljen e emergjencës mjedisore?

Kodra: Po, është shpallur nga shteti në atë kohë.

Spaho: Ju jeni në dijeni që ka dokument të tillë?

Kodra: Sapo ju përgjigja. Për çdo dokumentacion jemi të gatshëm t’ua vendosim në dispozicion.

Tabaku: Është e rëndësishme të komunikoni me njerëzit që po komunikoni me mesazhe, Mërtiri, Zoto, Gugallja, të lutem dëgjoni.

Pëllumbi: Ne s’bëmë komente, bëmë pyetje.

Tabaku: S’është normale, ajo pret përgjigje nga celulari.

Pëllumbi: Në lejen e ndërtimit që keni marrë ka faza se çfarë punimesh do kryeni?

Kodra: Po ka disa faza, objekti i kontratës së koncensionit, që kryhet në disa faza.

Pëllumbi:
Juve sot bëni integrim të menaxhuar të mbetjeve?

Kodra: Po, patjetër që po.

Pëllumbi: Sot në Sharrë ka akoma tymra që ndotin ambientin?

Kodra: Ka ndryshuar faqja, nuk është më në situatën që ka qenë ku kullosnin bagëti dhe njerëzit jetonin në grumbullin e plehrave. Jemi në fazën kur është kryer gjelbërimi i zonës. Çdo gjë është ndërtuar në përputhje me standardet Evropiane.

Pëllumbi: A ka ujëra të ndotura në Sharrë?

Kodra: Jo.

Pëllumbi: Qytetarët duan të kenë tokë të pastër dhe ajër të pastër.

Kodra: Sot qytetarët e Tiranës kanë një pajisje mbetjesh në mënyrë moderne. Nuk ka më grumbuj të mëdhenj. Sot janë të gjitha standardet e kërkuara. Këtë ua provojmë, në analizat e bëra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb