Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian i bëri thirrje kreut të SPAK, Altin Dumani që të caktojë një prokuror special që të hetojë krimet zgjedhore.

Pasi përshëndeti dhe përgëzoi drejtuesin e ri të SPAK, ajo vuri në dukje dhe theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet për momentin në të cilin ndodhet Shqipëria.

“Ky është një vit i rëndësishëm e një vit testi e prove për Shqipërinë. A mundet Shqipëria që ka çelur negociatat të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme?” pyeti zonja Tabaku ndërsa vuri në pah se ende në Progres Raportet e Bashkimit Europian ka mbetur çështja e zgjedhjeve dhe integriteti i tyre në pikëpyetje. Sipas saj, nuk ka kuptim dhe nuk mund të jetë e pranueshme që zgjedhjet të jenë ende problem për statusin që ka sot Shqipëria. Më tej ajo shprehu gjithë mbështetjen e saj dhe të opozitës ndaj institucionit të SPAK.

“SPAK dhe drejtuesi i saj do ketë mbështetjen time në punën tuaj dhe në përpjekjen tuaj dhe institucionit që ju po drejtoni për të luftuar Krimin e Organizuar, Korrupsionin dhe mafian në vend. Ne kemi nevojë për një drejtësi të pavarur. Ne kemi nevojë për prokurorë të ndërgjegjshëm për punën e tyre. Kemi nevojë për sundimin e ligjit dhe fundin e pandëshkueshmërisë. Tre nga kriteret në këtë proces varen nga institucioni që ju drejtoni dhe do të jemi këtu përsëri për të raportuar për rezultatet konkrete së shpejti.”, tha deputetja.

Mes të tjerash ajo shtoi se; “Sot dosjet 184 dhe 339 rrezikojnë të parashkruhen dhe përgjegjësit e vërtetë mos të përfundojnë përpara drejtësisë, e ne nuk mund të presim derisa këto të bëhen statistika prandaj në emër të opozitës Z. Dumani ju kërkoj që një prokuror special të caktohet sa më shpejt i dedikuar për të hetuar krimet zgjedhore, ku një procedure e thjeshtë dhe e shpejtë menjëherë të marrë vendime. Propozim që vjen pasi është e papranueshme që Shqipëria me negociata të hapura të ketë zgjedhjet problem; të ketë krimin e organizuar që angazhohet në zgjedhje, të ketë dosje që dëshmojnë lidhjen krim-politikë. Ne e kemi të qartë që ndërhyrja në zgjedhje është shembja e demokracisë. Prandaj në emër të opozitës ju kërkoj që të përcaktoni një prokuror special që të merret me problemin e zgjedhjeve; që blerja e votës të ndëshkohet dhe kriminalizimi I zgjedhjeve të ndëshkohet që të hetohet në kohë reale. Nuk ka prioritet tjetër për Shqipërinë veç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb