TIRANE-Çështja e Teatrit Kombëtar dhe kompania ‘Fusha’ shpk që ka marrë përsipër ndërtimin e godinës së re është bërë objekt debati në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Nënkryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha se kompania Fusha po pastron paratë, ndërsa ky ligj është antikushtetues. Ajo tha se paratë e drogës po depërtojë në ekonomi, ndërkohë që shtoi se pastrimi i parave po bëhet edhe në pikat e këmbimit valutor. Po ashtu Tabaku kërkoi që komisionit t’i vihej në dispozicion raporti i Bankës së Shqipërisë.

“Deputetët e opozitës ndodhet përballë mbrojtjes më të madhe korruptive që i bëhet nga deputetët e mazhorancës kontratës së prezantuar nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës, njëkohësisht edhe nga Ministria e Financave. Jemi përballur me Ministra që nuk dinin të kthenin përgjigje as për kushtet minimale të kontratës, që nuk kishin dijeni se çfarë po ndodhte me pronën publike dhe private dhe që nuk kishin dijeni as për atë që kishin firmosur. Kjo na bën të dyshojmë se kjo kontratë nuk është prodhuar në zyrat e shtetit. Kjo kontratë dhe aferë korruptive nuk mund të jetë prodhuar në zyrat e shtetit sepse vetë zyrtarët e shtetit nuk dinin ta mbronin atë.

Afera e teatrit është shembulli më i fortë e cila dëshmon se paratë e krimit dhe të drogës janë duke depërtuar në ekonomi. Dhe në këtë rast i bëj kërkesë ju si kryetar i Komisionit dhe Guvernatorit që të na vendosë në dispozicion raportin që dje kanë publikuar mediat pjesërisht që ne si deputetë i këtij Komisioni nuk e kemi. Raporti që ka bërë departamenti i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë provon katërcipërisht atë që opozita ka theksuar gjatë një viti, pastrimin e parave. Dhe ligji i Teatrit ose afera korruptive e Teatrit është shembulli konkret i pastrimit të parave. I kam kërkuar Guvernatorit dhe Ministrit të Financave në disa raste të bëjë transparencë se me çfarë fondesh po zhvillohet sektori i ndërtimit. Keni gjetur justifikime të ndryshme. Dje raporti i mbikëqyrjes thoshte e zeza mbi të bardhë “Në disa raste nuk disponohen dokumente që provojnë burimin e fondeve të cilat kryesisht mbeten në nivel deklaratash për transaksione të kryera nga klientët me para fizike cash, në llogari individuale tregtare”. Më tej Raporti thotë: “Banka e Shqipërisë me inspektimet e saj me fokus rastet e pastrimit të parave ka gjetur transaksione të pajustifikuara të kryera në këto banka”. Sipas Raportit: “Janë gjetur mangësi në plotësimin e të dhënave të klientëve në biznes në sistem si edhe klasifikimin e klientëve sipas rrezikut ku konstatohen mangësi në kundërshtim me ligjin e parandalimit të pastrimit të parave. Kryetar, duhet urgjentisht që qeveria të marrë masa që kjo që po ndodh me pastrimin e parave, kjo që po ndodh me burimet alternative, të financimit të biznesit kriminal të ndërtimit duhet të ndalojë një herë e mirë. Kërkoj që Banka e Shqipërisë të na vendosë në dispozicion këtë Raport. Media thotë që është konfidencial, por përderisa disa e kanë marrë besoj edhe ne mund ta kemi këtë Raport. Kërkoj nga Banka e Shqipërisë të na japë informacion për institucionet financiare jobankare. Sipas Raportit, numri i institucioneve financiare jobankare është dyfishuar. Janë institucione të cilat janë jashtë sistemit bankar dhe janë duke u përdorur për pastrim parash.

Kërkoj informacion për pikat e këmbimit të parave. Sipas të dhënave tona, pikat e këmbimit të parave janë duke u rritur në mënyrë eksponenciale, Exchange të cilat po përdoren njëkohësisht për pastrim parashë. Kërkojmë informacion edhe nga Ministria e drejtësisë për kontratat që janë duke u bërë tek noterët. Informacion që ky Raport i Bankës së Shqipërisë, i departamentit të mbikëqyrjes e përmend. Kontratat e dorëzanisë tek noterët janë duke angazhuar zhurma fondesh të jashtëzakonshme duke i përdorur këto si burim i pastrimit të parave. Raporti i Mbikqyrjes së Bankës së Shqipërisë duhet të na vihet në dispozicion. Unë dhe kolegët e mi prej një viti po themi të vërtetën. As unë as kolegët e mi nuk ndjejmë kënaqësi kur shohim se çfarë po ndodh me sektorin e ndërtimit, me pastrimin e parave. Ky Komision duhet të fillojë intensivisht për të marrë informacion për këtë çështje sepse kjo nuk është më një çështje që i takon Komisionit të Sigurisë!”, tha Tabaku.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: