TIRANË- Deputetja demokrate Jorida Tabaku konfirmoi sot se konsensusi i opozitës do të vazhdojë edhe për miratimin e 7 ligjeve të paketës kushtetuese që pritet të shkojnë në parlament në muajin shtator.

Në rubrikën “Opinion” në News24, Tabaku vlerësoi kontributin e opozitës në draftin kushtetues të reformës në drejtësi, ndërsa shtoi se tashmë qeveria duhet të materializojë këto ligje me çuarjen e tyre në parlament.

“Ne e kemi bërë punën tonë, si në komision edhe me ekspertët. Kontributi i opozitës i jashtëzakonshëm. Nuk i bëjmë dot të gjitha ne në këtë vend. Konsensusi është dhënë për paketën e ndryshimeve kushtetuese. Sigurisht që qeveria duhet t’i materializojë këto me sjelljen në parlament dhe hyrjen në fuqi. Ajo që ishte më e vështirë për t’u bërë, ndryshimi i kushtetutës, u realizua me votat e opozitës, nuk besoj se do ketë asnjë vështirësi për sjelljen e 7 ligjeve. Retorika boshe më duket pa kuptim. Konsensusi do të vazhdojë edhe me 7 ligjet”, deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD-së foli edhe për dhënien me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”. Ajo dhe se ky koncesion nuk duhet të kishte ardhur tani, pasi qytetarët e zonës së veriut nuk kanë tjetër alternativë.

“Tarifa është shumë e lartë. Kjo tarifë do të ishte vendosur kur të kishte një alternativë tjetër, një rrugë tjetër për t’u lidhur këto zona. Për momentin nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ndiej keqardhje që politika vazhdon ende hedh akuza, ka 3 vjet që dëgjojmë akuza për qeverisjen e djeshme. Nuk ka investime për rrugë, por ka investime për zyra dhe nuk ka investime eficente”, u shpreh Tabaku. Ajo foli edhe për ekonominë, të cilën e vlerësoi negativisht. Tabaku tha se në 3 vjet nuk ka asnjë investitor të huaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: