TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një dalje publike para mediave akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po betonizon hyrjen e Liqenit Artificial. Tabaku theksoi se qeveria premtoi gjelbërim dhe jo betonizim, ndërsa sipas saj po vijon të ndiqet modeli që u ndoq në 11 vite.

“Rama dhe Veliaj, edhe sot vazhdojnë të heshtin për pallatet dhe ndërtimet komerciale që kishin planifikuar këtu në hyrje të Parkut të Liqenit. Sigurisht që pseudokonkursi i shpallur në mënyrë tinzare ishte thjeshtë një vegël klienteliste për të filluar dhe zbatuar planin e betonizimit të sheshit Nënë Tereza, të hyrjes së Parkut të Liqenit të Tiranës, akoma pa marrë postin e kryetarit të bashkisë nga ana e z.Veliaj. Që të gjithëve ju kujtohen gjatë fushatës përgjërimet dhe premtimet për 3 vite moratorium për pezullimin e ndërtimeve, zgjerimin e vijës së gjelbër të Parkut të Tiranës, jo betonizim, ndërtime të cilat do të ishin vetëm në periferi dhe jo në zonat që tashmë kanë intesitet të lartë. Këto premtime kaluan edhe në skajin tjetër kur filloi të premtojë që çdo pronë private do të merrej dhe kthehej në hapësirë të gjelbër publike.

Ndërkohë kishte muaj që ishte shpallur një konkurs i cili pa dijeninë e publikut kishte propozuar rreth 10 projekte për të betonizuar hyrjen e Parkut të Liqenit të Tiranës. Besoj se sot i kuptojnë të gjithë milionat e hedhura në fushatën e Tiranës. Të gjithë kuptojnë arsyet se pse Partia Socialiste me çdo kusht përpiqej të merrte Bashkinë e Tiranës, thjeshtë për të vazhduar farsën klienteliste, thjeshtë për të vazhduar betonizimin e Tiranës, thjeshtë për të ndjekur një model që ishte për 11 vite.”, tha Tabaku.

Ajo shtoi më tej se e njëjta gjë do i ndodh dhe sheshit Skënderbej. “Nuk besoj që do të jetë e largët dita kur ne do të shohim edhe në Sheshin Skënderbej të njëjtin projekt; betonizim. Betonizim aty ku ka hapësira publike sepse sigurisht që hapësirat private do kthehen në hapësira të gjelbërta. Nuk besoj që do të jetë e largët dita kur ne do të shohim Parkun e Liqenit të Tiranës të betonizuar. Kjo është arsyeja pse u bllokua projekti i rigjallërimit të Sheshit Nënë Tereza sepse nuk u miratuar nga qeveria. Kjo është arsyeja pse shumë projekte të tjera të propozuara nga Bashkia e Tiranës nuk morën jetë sepse kishin shpallur në mënyrë të fshehtë dhe tinzare konkurse për të realizuar të gjithë qëllimet e tyre klienteliste.

Fale presionit të bërë nga opozita dhe presionit të bërë nga shoqëria civile, nga aktivistë të shoqërisë civile dhe zëra të pavararur të medias, vendimi i konkursit u shty për të shtator. Jam e sigurt që nëse ky presion vazhdon atëherë ne do të ndalojmë ndërtimet këtu në hyrje të Parkut të Liqenit të Tiranës. Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje kryetarit të ri të Bashkisë z.Erion Veliaj, i cili nuk lë rast pa u shfaqur në televizion, që nuk lë pusetë dhe fëmi rom pa shfrytëzuar për të dalë në televizion, ndërkohë që ditët e fundit e kemi parë që është zhdukur, të dalë e të deklarojë që ai nuk ka për të lejuar që ndërtimet të zënë frymën e Parkut të Liqenit të Tiranës.”, përfundoi fjalën e saj deputetja Tabaku.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: