TIRANE- Deputetja e PD-së Jorida Tabaku gjatë interpelancës që bëri ministri i Infrastrukurës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, teksa foli për tre inceneratorët sulmoi qeverinë ‘Rama’. Deputetja tha se nga skema mafioze e qeverisë i janë dhënë 178 milionë euro një personi të vetëm për këta 3 inceneratorë.

Mes të tjerash Tabaku tha se dosja që qeveria ka sjellë për 3 inceneratorët është aq e mangët sa për ata që kanë dhënë 178 milionë euro një kompanie të vetme, ndërsa shtoi se burgu 313 është gati.

FJALA E TABAKUT
Gjatë këtyre pesë viteve ka shumë raste kur ne kemi denoncuar afera të ndryshme korruptive. Dëmi i KLSH 2,8 mld euro, fasada 400 mln euro, koncesionet po shkojnë pothuajse 1 mld, po ka jo pak raste kur vjedhja është kaq e qartë dhe e pastër sa nuk kanë pyetur as për ligje dhe as për Kushtetutë. E në këto raste të shkeljes flagrante të ligjit mund të përfaqësohen nga koncesioni i tre inceneratorëve.
Qeveria shqiptare në vite bashkë me GTZ (GIZ) hartoi një strategji për manaxhimin e mbetjeve dhe përcaktoi landfil rajonal. U ndërtuan landfil në Shkodër, Tiranë etj. Filluan të ndërtohen, por papritmas, 3 vite më parë, nga asgjëja, qeveria dha vendimin e parë për një incenerator për djegien e mbetjeve në Elbasan. Vazhdoi i dyti në Fier e i treti në Tiranë.
Çfarë ka ndodhur realisht?
Në 16 dhjetor 2014 qeveria Rama i dhuron kompanisë Albtek Energy të krijuar 5 muaj më parë dhe me një kapital më pak se 1.000 euro (100.000 lekë) koncesionin me propozim të pakërkuar të Inceneratorit të Bradasheshit në Elbasan. Jo vetëm kaq, por ministria nuk kreu asnjë publikim/njoftim mbi garën, sikundër legjislacioni në fuqi e kërkon (Neni 24, i ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe PPP”, i ndryshuar dhe neni 26i VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/PPP, si dhe dispozitat e ligjit për prokurimin publik lidhur me njoftimet), nuk bëri asnjë shpallje publike procedurash dhe nuk ka bërë publike, siç ligji e kërkon, mbi cilat kritere ligjore, financiare dhe teknike vlerësoi, kualifikoi dhe më pas lidhi kontratën me firmën fituese.
Më konkretisht, lidhja e kontratës është paraprirë nga një procedurë që ligji nuk e parashikon. Se si është zhvilluar procedura, ende nuk është bërë publike, por e pothuajse tre muaj i kërkoi qeverisë dhe ministrave dosjen, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë më kanë vënë në dispozicion procedurën për koncensionin vetëm për inceneratorin e Fierit; asgjë për Elbasanin, asgjë për Tiranën.
Pse e gjithë kjo skemë mafioze u zbatua në funksion të dhurimit të një koncensioni, të një personi të vetëm në të tre qytetet.
Aq i rëndësishëm ishte ky koncesion për qeverinë saqë vendosi të përshpejtojë 9 procedura brenda 24 orëve:
1- Me 16 Dhjetor 2014 kompania Albtek Energy u shpall fituese
2- Afatet ligjore te ankimit janë 7 ditë.
3- Pavarësisht kësaj, brenda ditës mbyllet data e shqyrtimit të ankesave në 16 dhjetor; kjo pasi autoriteti kontraktor e dinte që nuk do të kishte asnjë ankesa sepse asnjë operator nuk do të kishte përse të ankohej, përderisa kjo procedurë u zhvillua fshehtas dhe askush nuk ishte në dijeni.
4- Dërgohet drafti për mendim në ministritë e tjera brenda datës 16 dhjetor.
5- Erdhi përgjigja nga ministritë e tjera vjen brenda datës 16 dhjetor.
6- Hartohet po në datën 16 dhjetor një kontratë me 40 faqe ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë.
7- Negociohet kontrata mes palëve brenda datës 16 dhjetor me 40 faqe.
8- Firmoset kontrata mes ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë fituese brenda datës 16 dhjetor.
9- Miratohet financimi i kontratës së lidhur me firmën në fjalë, pra Klodian Zotos, në mbledhjen e qeverisë në 17 dhjetor 2014, pra te nesërmen!
Eficencë të tillë qeveritare nuk kemi parë kurrë.
Cila është arsyeja që një qeveri kryen një seri kaq të gjatë veprimesh proceduriale me një nxitim kaq të madh dhe me një devocion kaq të padëgjuar më parë?
Unë kam këtu shkresat zyrtare nga Agjencia e Koncensioneve që më kanë kthyer përgjigje që nuk janë bërë pjesë e këtij procesi siç e kërkon ligji.
Ndiqni paratë të nderuar kolegë, ndiqni paratë dhe do të kuptoni se në të njëjtën adresë ku është regjistruar kjo kompani është regjistruar edhe kompani që mori inceneratorin e Fierit që është bashkëpronare me kompaninë italiane që shfaqet përsëri në inceneratorin e Tiranës dhe në pak ditë të treja kompanitë në të njëjtën adresë lidhin kontratën me qeverinë shqiptare.
Kompania ITS, e përmendur më sipër si kompania që ndan zyrën me koncesionarin e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit, në bashkëpunim me Energy 2 srl fitojnë në 26 shtator 2016 koncesionin për Inceneratorin e Fierit me vlerë 28 milion euro. Edhe këtu, skema e njëjtë. Unë kam këtu dosjen e procedurave që më kanë dhënë në dispozicion ministri, të cilin do ta analizoj më vonë në varësi të përgjigjes që jep ai.
Me një kontratë ku nuk ka asnjë specifikim, sepse thuhet se do të ndërtohet në fshatin Portos, ndërkohë që në fshatin Portos nuk ndërtohet sepse banorët hidhen në protestë. Në një kontratë e cila nuk specifikon absolutisht asgjë, e cila bie e gjitha poshtë pas protestës së banorëv, qeveria fal përsëri 28 milionë euro. Kolegu im ka Luan Baci ka qenë në fshatin Mbrostar, në Vërri më saktësisht, atje janë në protestë për inceneratorin e Fierit. Pavarësisht se banorët janë në protestë, pavarësisht se atje nuk janë vendosur një tullë e vetme. Atje ka vetëm disa makineri të shkreta, të cilat sot nuk punojnë, qeveria i ka paguar 5.2 milionë euro, 8 miliardë euro në një vit e gjysëm pa bërë as edhe një ditë punë.
Kjo është e vërteta dhe unë besoj se faktet janë të gjitha të qarta për qytetarët.
Ndërkohë, që kompania që kishte vetëm 1 mijë euro asete, që fitoi koncesionin, dy ditë pas fiton koncensionin, shkon dhe blen makineritë prej 15 milionë eurosh.
E kuptoni që kompania që ka fituar një koncension prej 22 milionë eurosh në Elbasan, 28 milionë eurosh në Fier dhe 128 milionë euro në Tiranë, nuk kishte as makineri, nuk kishte as eksperiencë, nuk kishte kriteret e duhura teknike dhe ligjore për të fituar këtë koncension, blen makineritë dy ditë pasi fiton koncensionin. Që do të thotë se fitimi i kompanisë vetëm pse mori kontratën koncensionare që në momentin e parë me vetëm njërën prej kontratave koncensionare është me 13 milionë euro në xhep, pa bërë absolutisht asgjë.
Unë do të dëgjoj edhe ministrin dhe më pas do të paraqes edhe fakte të tjera në varësi, sigurisht edhe në varësi të dokumenteve që ne mund të njihemi këtu që sigurisht ministri mund të na i ketë sjellë dhe nuk na i ka vënë në dispozicion.

Ndërhyrja e parë e deputetes Tabaku gjatë interpelancës me Gjiknurin.
Në fakt në 15 minuta unë dëgjova justifikime, pse duhen inceneratorët. Në 15 minuta dëgjova justifikime se si duhet bërë menaxhimi i mbetjeve në Republikën e Shqipërisë; çfarë është landfilli, çfarë është inceneratori, çfarë teknologjie ka.
Ministri është jurist dhe e di mirë që deklaratat e bëra këtu publike janë dëshmi edhe në gjyq. Ministri sapo pranoi që ne kemi shkelur ligjin për inceneratorin e Elbasanit, ia kemi dhënë një kompanie me duar në xhepa, pa teknologji, pa kritere ligjore, pa procedurë, pa tender ndërkombëtarë, pa shpallje siç thotë ligji i koncesionit dhe partneritetit publik privat. Sepse donim që t’ia jipnim kompanisë që ne njihnim, që kishim mik të gjithë, donim t’ia jepnim z.Klodian Zoto. Kompania kishte vetëm 1 mijë euro asete dhe vetëm një javë pasi mori koncensionin bleu teknologjinë prej 15 milionë euro.
Unë nuk dua t’ i futem këtu fare diskutimit se si e nisi ministri. Kam këtu shkresat që i kam dërguar tre minsitrive dhe dy institucioneve shtetërore, i kam nisur këto shkresa që në mes të muajit nëntor. Asnjë përgjigje. Vetëm z.Klosi që më thotë se nuk e kam unë dosjen, javë pas jave nuk e kam unë dosjen, nuk e kam unë dosjen.
Vetëm dy ditë më parë më kanë sjellë një dosje e cila në qoftë se ajo është dosja e plotë e të gjithë koncesioneve për 178 milionë euro që qeveria shqiptare i ka dhënë një kompanie të vetme atëherë nuk di çfarë të them, vetëm shprehjen e z.Alibeaj: Burgu 313 është gati, megjithëse thonë se edhe burgjet do t’i jepni me koncension.
Ministri këtu sapo tha që kompania që ka marrë inceneratorin e Tiranës, kompania Pol Urth thotë është e njohur, ndërkombëtare. Por harroi të thotë, dhe deklaratat këtu janë deklarata publike, janë dëshmi edhe në gjyq, që këtu është partner edhe ITS që këtu është partner edhe Klodian Zoto.
Një kompani me një person të regjistruar, me një zyrë një dhomë e një kuzhinë te Shallvaret ka marrë një koncesion me 128 milionë euro.
Pse ka mundësi që një kompani, pa garë me tender të mbyllur, pa shpallje ndërkombëtare, pa publikim ndërkombëtar të marrë të tre koncesionet.
Do të ndodhte kjo nëse tenderi do të ishte ndërkombëtar?
A do të kishte mundësi nëse tenderi do të ishte ndërkombëtar që një kompani e vetme t’i fitonte të treja?
A do të kishte mundësi që një kompani pa asnjë eksperiencë, pa asnjë ditë pune në këtë sektor të merrte tre koncesione në menaxhimin e mbetjeve kur incenerimi i mbetjeve është kaq i rëndësishëm për qeverinë shqiptare?
Çfarë ndodhi pasi u fitua koncencioni i inceneratorit të Fierit?
Si pjesë e koncesionit ishte edhe një kompani italiane. Kompania italiane ishte pjesë sepse kishte një eksperiencë të caktuar. Tre ditë pas u fitua koncesioni i Fierit, kompania italiane del nga loja dhe i blen një kompani shqiptare, ndërtim-montim Patos, e cila pagoi 20 mijë lekë për të blerë aksionet e një koncensioni 128 milionë euro.
Në qoftë se kjo skemë është kaq e pastër pse nuk vihet dosja në dispozicion?
Në qoftë se kjo skemë është kaq e pastër, ashtu siç thotë ministri, pse pagesat që kanë filluar që në vitin 2016, 2017 siç e thotë kontrata koncensionare vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, ndonëse puna nuk ka filluar akoma?
Pse nuk amendohet kontrata?
Unë këtu kam analizuar të gjithë dosjen e koncesionit të Fierit për të cilën më është vënë në dispozicion ose një pjesë të saj, të cilën më ka vënë qeveria në dispozicion.
Çfarë thotë dosja e koncesionit të Fierit, në qoftë se ajo është e gjitha që ato kanë.
Dosja e koncesionit të Fierit thotë se fillimisht ajo u vendos në fshatin Portos, u mblodh këshilli bashkiak, nuk ranë dakord, u ndryshua. Por që incenenatori të ndryshohej në fshatin Portos kompania kishte përgatitur vlerësimin teknik, kishte përgatitur vlerësimin gjeologjik të tokës, vlerëismin ekonomiko-financiar të tokës. Në kontratë thuhet se nuk do të ketë shpronësime. Brenda ditës të gjitha hidhen poshtë, shumëzohen me zero dhe zhvendoset në fshatin Mbrostar. Qeveria paguan edhe 46 milionë lekë si shpronësim që janë mbart OST, koston.
Në dosje thuhet se duhet të merret miratimi paraprak i ministrit të Financave, sepse është një koncesion që do të ketë mbështetjen nga buxheti i shtetit.
Çfarë ndodhë realisht?
Ministri Cani nuk e firmos, largohet nga detyra, e kam dosjen atje. Ndoshta për koncensionin e TVSH-së, ndoshta sepse nuk firmosi inceneratorin e Elbasanit, nuk e di, këtë e di qeveria. shpallet koncensioni, megjithëse nuk kishte miratimin nga personi që ka përgjegjësinë për buxhetin e Shqipërisë. Vjen ministri Ahmetaj e firmos.
Nga ana tjetër për inceneratorin e Tiranës u deklarua nga ministri këtu, në mos gaboj: Në nëntor 2017, projekti i Tiranës është ende larg konkretizimit dhe hë për hë nuk mund të themi se është e sigurt që mund të zbatohet.
Ky ministër që këtu tha që në nëntor 2017 kishte firmosur vetë për këtë koncesion, erdhi këtu në Parlament gënjeu dhe tha se nuk dihet nëse do të zbatohet apo jo. Ndërkohë që Ministria e Financave kishte dhënë OK-in për këtë incenerator.
Ministri Gjiknuri dhe ministri Ahmetaj thonë se nuk kanë asnjë lidhje në këtë proces, që nuk kanë asnjë ndikim në këtë proces.
Ministri Gjiknuri sipas të gjitha kontratave të koncensionit ka pasur një përfaqësues të minsitrisë së Energjitikës. Sipas kontratës koncensionare të Fierit, ministri ka ngritur një njësi zbatuese projekti ku ai ishte përgjegjës që ky koncesion të ndiqej hap pas hapi që të zbatohej ose jo.
Pse i ka vazhduar këto pagesa?
Pse buxheti i shtetit i ka paguar sot e kësaj dite 5 milionë euro për inceneratorin e Fierit kur nuk ka filluar puna?
Pashë fotot që nxori ministri për inceneratorin Elbasanit. Kolegu Boçi që ka qenë atje, që ka biseduar me banorët thotë që zona ku është ndërtuar është totalisht e papërshtatshme, është ndërtuar në buzë të Shkumbinit, që ka rrezik për dëmtime të mëtejshme të ambinetit atje, që banorët edhe atje nuk janë dakord.
Unë e di që jo gjithmonë banorët do të jenë dakord për veprat publike. Unë e di që gjithmonë mund të ketë protesta sepse bëhet fjalë për djegie mbetjesh, për incenerim mbetjesh, ndoshta mund të ketë ndotje në mjedis.
Por pse nuk janë ndjekur procedurat ligjore? Pse është shkelur me të dyja këmbët ligji? pse në të gjithë Republikën e Shqipërisë është zgjedhur një person me një kompani me 1 mijë euro asete për ta kryer këtë?
Pse z.Klodian Zoto që ka pasur vetëm një punë të vetme në kompaninë Hermes, nuk e di nëse e keni dëgjuar besoj herë tjetër këtë kompani.
Sot ka marrë 178 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.
Pse hiqen 60 mijë fmailje nga ndihma ekonomike dhe paguhen 5.2 milionë euro për inceneratorin e Fierit?
Pse nuk paguhen 15 mijë pedagogë dhe staf akademikë dhe gjenden paratë për të paguar 5.2 milionë euro për inceneratorin e Fierit?
Këto janë pyetje që sot kërkojnë përgjigje nga shqiptarët. Këto janë pyetje që duhet t’i ktheni përgjigje. Në qoftë se e gjithë procedura për të tre koncensionet është ajo dosje që ju keni sjellë, ju sapo bëtë këtu një deklaratë publike që keni shkelur ligjiin me të dyja këmbëët.
Unë kam bërë një analizë për të tre incenenratorët, një listë e gjatë shkeljesh ku ligji dhe Kushtetuta është shkelur me të dyja këmbët.
Në qoftë se kjo paska qenë një procedurë kaq e mirë pse nuk janë të gjitha dokumentet publike?
Në qoftë se kjo paska qenë procedura ideale për menaxhimin e mbetjeve në SHqipëri, pse nuk u ftuan partnerë ndërkombëtarë?
Pse nuk u bë që kompani që kanë pasur eksperiencë të ngjashme në vende të tjera të vinin dhe të jepnin eksperiencën edhe këtu në Shqipëri?
E dini çfarë po ndodh?
Po ndodh që nëse inceneratori i Elbasanit do të punojë me kapacitet të plotë, do të incenerojë çdo mbetje që do të shkojë në incenratorit, ndërkohë që në vende të tjera të ngjashme, unë kam raste këtu të Italisë, të Greqisë incenerojnë vetëm 20% të mbetjeve, kapaciteti që të djegë mbetje për një popullsi prej 4.3 milionë banorësh, Shqipëria dhe Maqedonia bashkë.
Po pasi të djegim mbetjet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë, ku do të gjejmë ne mbetje të tjera për të djegur mbetje të incenenratori i Fierit dhe i Tiranës?
Çfarë do të ndodhë?
Kjo është një pyetje që ministri këtu nuk na kthen përgjigje. Përveç skemës mafioze që është ngritur .
Ka akuza nga kolegë të mi që ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj janë përzier në aferat me z.Klodian Zoto. Unë nuk e di, dorën në zjarr nuk e vë, por presim që të flasë Prokuroria për këtë gjë.
Kolegë të mi të opozitës thonë se kanë prova të sigurta për këtë gjë. Sepse inceneratorët nuk mund t’i ishin dhënë një personi të vetëm në qoftë se nuk do të kishte mbështetje të tillë.
Në qoftë se ne do të kishim një prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas një procedurë normale, unë jam e sigurt që sot e kësaj dite ne nuk do të ishim duke diskutuar mbi procedurën e inceneratorit. Ne sot do të ishim duke disktuar mbi kallëzimin penal për të gjithë personat që janë përfshirë në inceneratorin e Fierit, të Elbasanit dhe të Tiranës.
Ka një parim shumë të thjeshtë mbi të cilën është ngritur kjo qeveri; ka qenë droga, ka qenë krimi, ka qenë vjedhja, tani u bënë edhe mbetjet.
Unë besoj se e gjithë procedura që ne kemi analizuar, të gjitha elemenetët që kanë shkelur ligjin, të gjitha ligjet e këtij vendi që lidhen me procedurat e prokurimit publik-privat, procedurat e koncensionit, të gjitha ligjet që lidhen me menaxhimin e mbetjeve, sot duhet të kishim një person përgjegjës para drejtësisë.
Dhe sot qeveria shqiptare nuk është e mundur që të bëjë 9 procedura dhe 9 VKM brenda ditës në qoftë se këtu nuk do të kishte diçka pas.
Unë ju thash pak më përpara që data 16 dhjetor e vitit 2014 ka qenë një ditë ideale për qeverinë shqiptare, ka negociauar kontratën, i ka dhënë vendimin të gjithë ministrive të linjës, ka pritur ankesat për koncensionin, ka lidhur kontratën, ka bërë skedulin për pagesat, ka miratuar me vendim qeverie edhe kontratën finale koncensionare.
Unë shpresoj që eficencë qeveritare ta kishim edhe për ligjin e Arsimit të Lartë. 31 VKM nuk janë miratuar akoma dhe pedagogët janë ende pa pagesa.
Pse gjendet qeveria në një shpejtësi kaq të madhe për të marrë vendime për inceneratorin për 178 milionë euro kur sot nuk gjenden paratë për stafin akademik dhe pedagogët?
Unë dëgjova dje diskutimet për universitetet publike. Kam qenë pedagoge e Universitetit të Tiranës që kur jam diplomuar në Universitetin e Tiranës. Kam zgjedhur gjithë jetën time vetëm universitetin publik dhe asnjëherë privat sa herë jam diplomuar në Shqipëri.
U ndjeva e fyer, e ofenduar kur kam dëgjuar dhe kam parë pedagogët e Universitetit të Tiranës që dje dëgjonin fyerje dhe ofendime.
Ndoshta nuk mund të jetë fakulteti ideal, ndoshta nuk mund të jetë universiteti ideal por gjysma e pedagogëve të këtij parlamenti kanë dalë nga ai fakultet, nga ai universitet.
Si mundet intelektualët, pedagogët, artistët, të gjithë në një vend të jenë kundër? Diçka po ndodh, nuk do të thotë se gjithçka po shkon vaj.
Si mundet që qeveria të japë një koncesion me 178 milionë euro dhe të jetë e gatshme të bëjë të gjitha këto veprime brenda një dite, dhe të mos jetë e gatshme që të ndihmojë ato shtresa që janë elita e këtij vendi?
Këtë përgjigje unë besoj që nuk kemi për ta dëgjuar ndonjëherë nga kjo qeveri. Edhe përgjigjen për inceneratorët nuk besoj se keni për ta dëgjuar ndonjëherë nga kjo qeveri.
Por nuk ka për të qenë e largët dita kur të gjitha këto dosje që ne po denoncojmë sot të jenë kallëzime penale dhe të jenë punë për prokurorinë e ardhshme. Sepse kjo e sotmja nuk e di nëse e ka vullnetin apo jo.
Faleminderit!

Ndërhyrja e dytë e deputetes Tabaku gjatë interpelancës me ministrin Gjiknuri
Neni 22, pika 3 e ligjit të thotë se : “Nuk të lejohet të bësh tender, koncesion, sepse është partneritet publik-privat, pa bërë njoftim të hapur, tender ndërkombëtar, pa bërë shpallje dhe jo për situatë emergjente, pa pasur ofertë të vlefshme.”
Nuk ke pasur asnjë ofertë të vlefshme. Leja e Elbasanit ka dalë 4 muaj pasi është marrë koncesioni. Me lejen e Fierit ke një dosje të tërë me shkelje proceduriale. Mund të të citoj jo një ligj por 10 ligje dhe 10 shkelje ligjore që ke bërë.
Si përmbledhje; nuk mora përgjigje pse një kompani me asete prej 1 mijë eurosh merr 178 milionë euro koncesione?
Nuk mora përgjigje; pse e vetmja kompani që kishte eksperiencë për inceneratorin e Fierit, të Tiranës dhe të Elbasanit, kompania italiane i lan duart dhe ikën me 200 mijë lekë, sapo fitohet koncesioni?
Nuk mora përgjigje; si ka mundësi që në Fier vazhdojnë akoma pagesat, kur nuk ka filluar puna. Banorët janë në protestë.
Nuk mora akoma përgjigje se pse shteti ka shkelur ligjet me të dyja këmbët që një person të fitojë të treja koncesionet kur nuk kishte asnjë ditë eksperiencë pune në këtë fushë dhe në këtë sektor?
Nuk mora akoma përgjigje se pse nuk informoni publikun nëse keni pasur apo nuk keni pasur kontakte me z.Klodian Zoto ju apo ministra të tjerë të qeverisë?
Nuk mora akoma përgjigje për pyetjet që ju kam bërë sepse shkeljet në këtë koncesion janë shumë të qarta.
Unë këtu mund të flas pa fund për koncesionin dhe inceneratorët, por zgjodha të them një fjali edhe për elitën e këtij vendi kur e krahasoi me këtë vjedhje galoponte dhe kur e shoh që kolegët e mi atje sot ndodhen përballë fyerjeve, përballë poshtërimeve, përballë akuzave që Universiteti i Tiranës është bishti i kavallit. Ndërkohë që aty është elita e vendit.
Pranojeni se keni dështuar me këtë koncesion dhe nesër keni një kallëzim në Prokurori.
Pranojeni se keni dështuar edhe me ligjin e Arsimit të Lartë.
Që preferoni të jepni edhe një herë 178 milionë euro një personi të vetëm të lidhur me ju dhe nuk pranoni të mbështesni elitën e vendit.
Faleminderit!

Replika me Ministrin e Financave Arben Ahmetaj
Në fakt unë jam përpjekur që në këtë Parlament për kaq vite sa jam as të mos hedh baltë mbi askënd, as të sulmoj askënd. Por meqenëse ministri më përmendi disa herë, thash ëkonkretisht që :“ Ish-ministri Cani i Financave nuk e dha miratimin paraprak për kërkesën që ministri i Mjedisit kishte dhënë për kontratën në datën 30.07.2016.”
Kontrata shpallet, ministri Cani ikën, pas tre muajsh ministri e jep miratimin. Në qoftë se kontrata e koncesionit të Fierit është kaq e keqe, meqenëse e amenduat për fshatin Portos dhe e çuat në fshatin Brostar dhe Vërri, pse nuk e amendoni edhe për skedulin e pagesave? Pse vazhdoni dhe e paguani akoma? Kjo është pyetja. Në qoftë se e shikoni që nuk po ecën puna, pse vazhdon zotëria dhe merr para?
Unë e di që pagesat nuk i bën ministri i Financave, i bën njësia zbatuese, i bën ministri i Energjitikës, por Thesari i autorizon. A ka skedul pagesash këtu? A ka miratime procesverbalesh mbi të cilat është bërë një punë e kryer dhe Thesari duhet të procedojë për të dhënë miratimin?
Këto gjëra biznesmeni nuk i ka bërë vetëm, i ka bërë në bashkëpunim me ministrat, se ku bie përgjegjësia më e madhe tek Gjiknuri apo tek Ahmetaj unë nuk e di.
Dëgjova këtu që përmendet edhe z.Koka, ish-ministrin e LSI-së. Në fakt unë e kam dëgjuar disa herë z.Koka që e ka sqaruar këtë, por z.Koka nuk ka pasur autoritetin që brenda një dite të mblidhte Këshillin e Ministrave dhe të miratonte 9 VKM. Ato nuk i ka bërë z.Koka, ato i ka bërë qeveria.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: