Tabaku: Veliaj gënjeu për fondet e rindërtimit të shkollës “Sami Frashëri”, ja plani i tij dhe qeverisë

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një dale për mediat deklaroi se në lidhje me rindërtimni e shkollës “Sami Frashëri”, kryebashkiaku Veliaj dhe qeveria shqiptare kishte në plan që t’i frynin kostot e shkollës.

Sipas saj, vlera e rindërtimit u rrit deri në 4.5 mln euro, 8 herë më e lartë se sa shkollat e ngjashme që ndërton BE.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Për nëntë muaj me radhë Erion Veliaj dhe qeveria gënjyen publikun duke deklaruar se shkolla “Sami Frashëri” do të ndërtohet me fondet e Bashkimit Europian.

I pacipë dhe duke gënjyer ditën për diell, Erion Veliaj vazhdoi të flasë për këto fonde, edhe kur faktet flisnin kundër tij dhe pohimeve të tij.
Së fundi, mbërriti deri aty sa të censurojë Delegacionin e Bashkimit Europian, i cili sqaroi publikisht se fondet për “Sami Frashërin” nuk janë nga fondet e rindërtimit të BE-së.
Fare pak media e transmetuan deklaratën e Delegacionit të Bashkimit Europian, sepse pjesa më e madhe e tyre u bllokuan nga Erjon Veliaj dhe të tijtë.

Prandaj, ne e kemi të qartë që media e shantazhuar, e frikësuar apo edhe blerë, ka zgjedhur të censurojë këtë deklaratë.
Kjo deklaratë përgënjeshtroi Erion Veliajn dhe Arben Ahmetajn dhe për të disatën herë i shpalli Mashtrues dhe Gënjeshtar.
Njeriun që gënjeu për fondet me të cilat do të rindërtohej shkolla “Sami Frashëri” që u prish në mënyrë të beftë dhe me procedura të fshehta dhe ende të pashpallura.
Arsyet pas kësaj gënjeshtre dhe pas kërcënimeve dhe blerjeve që e vërteta të mos dalë në shesh, janë disa.
Erion Veliaj gënjeu publikun për fondet e ndërtimit të shkollës “Sami Frashëri” që u prish në mënyrë të beftë dhe me procedura të fshehta dhe ende të pashpallura, është ai që ka kërkuar që ky informacion të mos jetë publik për qytetarët e Tiranës.

Erjon Veliaj gënjeu për fondet e rindërtimit të shkollës pasi plani i tij dhe i qeverisë shqiptare ishte që t’i frynin kostot e shkollës.
Sipas tabelës së publikuar nga Bashkia Tiranë kosto e shkollës shkon në 4.5 mln euro, një vlerë gati 8 herë më e lartë se sa shkollat e ngjashme që ndërton BE.
Në vend të gënjejë në mënyrë të pacipë, qeveria, bashkia, duhet t’i japin përgjigje pyetjeve që u fshihet prej dy javësh.

1. A u rehabilitua shkolla “Sami Frashëri” duke u shpallur si një shkollë që do t’i qëndronte viteve e fortë? Çfarë shkoi keq me këtë pohim të Veliaj që shkolla degradoi aq shumë sa të shembej?

2. A është shpallur në datën 27 mars projektimi i ndërtimit të shkollës “Sami Frashëri” dhe anulluar 3 javë më vonë, në 21 Prill 2020? Që do të thotë se ditën që u prish shkolla, nuk kishte as projekt-ide as projekt – zbatim dhe asnjë tender të hapur?

3. Në cilin sirtar ka përfunduar procedura e papërfunduar e tenderit për shkollën “Sami Frashëri”? Pse nuk ka asnjë dosje publike duke filluar nga fondet, projekti dhe deri tek procedurat e tenderit publik?

Nëse Edi Rama dhe Erion Veliaj mendojnë se me heshtjen, kërcënimet dhe shantazhet ndaj mediave do t’i mbyllin gojën të vërtetës, i kanë bërë llogaritë gabim.

Shqiptarët dhe mbi të gjitha qytetarët e Tiranës do të marrin vesh të vërtetën, provat dhe faktet që i kemi bërë publike dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë publike se si është manipuluar e vërteta për shkollën “Sami Frashëri”.

Shkolla “Sami Frashëri” është thjesht një pasqyrë e mënyrës se si Bashkia operon, se si qeveria operon. Është thjesht një mënyrë e fasadës që çdo ditë ia ofrojnë qytetarëve të Tiranës, fasadë e cila ka rënë për të gjithë shqiptarët dhe me 25 prill do të marrë goditjen përfundimtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb