Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar raportin sekret për kanabisin të publikuar sot në media. Në nj♪7 deklaratë, Policia e Shtetit thotë se lajmi i publikuar sot në gazetën “Shekulli” ku flitej për dy drejtorë policie baxhanakë me njeri-tjetrin të implikuar në trafikun e drogës, është tërësisht sajesë dhe se fsheh pas interesa politike e kriminale.

“Lidhur me lajmin e publikuar në Gazetën “Shekulli” e më pas marrë nga disa media, mbi ekzistencën e një raporti sekret për kultivimin e drogës në Shqipëri, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se ky lajm është tërësisht i pavërtetë dhe një sajesë e qëllimshme për të cenuar integritetin e policisë dhe punën e saj.
Theksojmë se është një lajm tërësisht i gënjeshtërt, për raporte të fabrikuara nga redaksi që kanë si synim vetëm përbaltjen e punës së policisë. Një raport i tillë nuk ka ekzistuar kurrë e as ekziston.
Ky lajm i fabrikuar ‎mbi ekzistencën e një raporti tërësisht të sajuar, fsheh mbrapa interesa personale, politike dhe kriminale”, deklaron Policia e Shtetit.

Në reagim thuhet më tej se rezultatet kundër drogës dhe paligjshmërisë dëshmojnë vullnetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë luftë.
“Nga ana tjetër, besimi i partnerëve ndërkombëtarë te Policia e Shtetit rikonfirmohet pas çdo operacioni të përbashkët antitrafik. Ky besim është maksimal, falë rezultateve të përbashkëta dhe intensitetit ‎të punës për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit. Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të medias për çdo informacion zyrtar, duke i bërë thirrje të mos raportojë lajme të pavërteta e të sajuara që kanë për qëllim vetëm ‎keqinformimin e publikut. Policia e Shtetit bën me dije se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj kujtdo që prodhon, fabrikon dhe sajon shpifje të cilat synojnë prishjen e imazhit të policisë dhe të vendit”, thuhet në deklaratën e Policisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb